Në bashkinë e Himarës është duke u zbatuar projekti “Furnizimi me ujë i zonave rurale IV” i cili ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë dhe kanalizimeve. Projekti parashikon sistemimin, grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të ndotur duke përfshirë edhe përmirësimin e kapaciteteve menaxhuese.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Prefektin e qarkut Vlorë, Vangjel Tavo, si dhe drejtuesit e FSHZH dhe AKUK, Dritan Agolli dhe Klevis Jahaj ndoqën nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e impianti të trajtimit të ujërave të ndotura.
“Një nga kantieret më të rëndësishme përsa i përket sistemimit të ujërave të ndotur dhe është pjesë e ‘Programit IV’ i cili ndiqet nga FSHZH në këtë zonë dhe përfshin një sërë projektesh duke filluar nga shpërndarja e ujit të pijshëm dhe deri tek sistemimi i ujërave të ndotur”.
Përmes tij do të mbulohen të gjitha subjektet tregtare që janë pjesë e bregdetit, si dhe 80% të volumit të banesave individuale.
Balluku tha se programi që po zbatohet parashikon ndërhyrje edhe në zona të tjera përgjatë bregdetit.
“Do të bëhet një punë shumë e mirë me përfundimin e lotit 3 të “Programit IV”. Ne do të vazhdojmë pasi bëhet fjalë që do të trajtohet e gjithë pjesa e jugut. “Programi IV” është një program kompleks. Parashikohet që të ketë ndërhyrje edhe në zonat e tjera, siç është pjesa e Orikumit, pjesa e Dukatit, për të cilën duhet të jemi të përgatitur tashmë që do të marrë një zhvillim tjetër për shkak të tunelit”, u shpreh Balluku.
Në fazën e parë, kapaciteti i impiantit është për 16 mijë banorë, ndërkohë që në fazën e dytë shkon deri në 24 mijë banorë.