Në 14 mars do të hapet për qarkullimin e automjeteve tuneli i Murrizit, vepra më e rëndësishme e Rrugës së Arbrit. Aktualisht po punohet për detajet e fundit, instalimi dhe montimi i pajisjeve të nevojshme, si dhe hedhja e shtresave asfaltike për rrugën dalëse të tunelit.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli inspektuan punimet ku u njohën me ecurinë e tyre.
“Në datën 14 mars do të hapim tunelin e Murrizit për akses për të gjithë drejtuesit e automjeteve në drejtim të Tiranës dhe atë të Dibrës. Ndërkohë po vazhdojmë dhe po punojmë në këto momente me tunelin ndihmës i cili është pjesë e këtij projekti”, njoftoi Balluku.
Zëvendëskryeministrja tha se Rruga e Arbrit është një ndër akset më të rëndësishme të vendit, e cila pritet ti japë një hov zhvillimit ekonomik të gjithë zonës.
“Bashkë me pranverën, të hapim dhe Rrugën e Arbrit, një nga rrugët kombëtare më të rëndësishme. Një nga rrugët të cilat padyshim do të shënojë rritjen ekonomike të të gjithë kësaj zone dhe do të shënojë rritjen e sektorit turistik për zonën e veriut”, nënvizoi Balluku.
Drejtori i ARRSH, bëri të ditur se janë drejt përfundimit edhe punimet sa i takon godinës ku po instalohen pajisjet për monitorimin e tunelit. “Në hyrje të tunelit godina e monitorimit është e përfunduar. Ka filluar instalimi i pajisjeve të cilat do të monitorojnë tunelin 24 orë, qoftë për aksidentet, qoftë për avari të ndryshme apo sistemi kundër zjarrit”, tha Gjyli.
Tuneli i Murrizit ka një gjatësi prej 3.78 kilometrash dhe përbëhet nga dy tuba, ai i trafikut dhe ai i emergjencës.