Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë informoi sot se në 9-mujorin e parë të vitit 2024 në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” u përpunuan 8 250 000 pasagjerë, ose 53.7% më shumë se një vit më parë.
Në konferencën e organizuar në përmbylljen e sezonit turistik veror 2024, Balluku vlerësoi se flukset e turistëve ishin të paparashikueshme dhe kanë tejkakuar pritshmëritë e vendosura në fillim të vitit.
Duke folur për flukset e regjistruara në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Balluku theksoi se kemi pasur një rritje eksponenciale nga viti në vit për të arritur rritjen me 53.7% në 9-mujorin e parë të këtij viti.
Fjala e Ministres Balluku, Konferenca për Turizmit:
Përshëndetje të gjithëve!
Së pari desha të thoja që qenkemi në uniform, unë, Mirela edhe disa goca të tjera jemi veshur të gjitha me bojëqielli sot, të pakoordinuara faktikisht edhe me tapetin. Por nuk besoj se bojëqielli është ngjyra e turizmit apo jo, pasi turizmi është edhe i gjelbër tashmë, ashtu siç tha edhe kolegu ynë Blendi Gonxhe.
Turizmi nuk ka të bëjë më vetëm me detin, turizmi ka të bëjë me çdo cep të Shqipërisë. Do ta nisja fjalën time me dicka që s’e kam të shkruar këtu, por tek dëgjoja kolegët, dhe flisnin për sezonin e zgjatur, flisnin për zona të reja turistike, dua thjesht të ndaj me ju një zonë turistike që nuk do t’i kishte shkuar ndër mend askujt, Bulqiza.
Bulqiza e minierave, e historive të trishta, e halleve të mëdha, pas pak ditësh së bashku me Blendin dhe me Dritan Agollin, nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ne do të prezantojmë një nga projektet më të mëdha dhe më inovatore të turizmit shqiptar, i cili nuk ka të bëjë as me zonat malore dhe as me zonat fushore, apo ato bregdetare, por ka të bëjë me një zonë minerare e cila do të rivitalizojë dhe do të ngrejë në një nivel tjetër një aset të vjetër të ushtrisë shqiptare, të quajtur, Divizioni. Divizioni do kthehet në një nga nuklat më interesante të turizmit, pas aty ne do ndërtojmë një muze, i cili do përfshijë brenda hoteleri, do të përfshijë brenda zona të tëra argëtimi. E kemi dizenjuar që të jetë një nga paintball më të mëdhenj në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe që do të kthehet në një destinacion për të gjithë banorët e kryeqytetit që mund të shkojnë atje vetëm për 30 minuta, sepse tashmë do kenë edhe tunelin e Murrizit. Kështuqë, e nisa nga një destinacion që askush nuk mund të besonte që do kthehej në destinacion turistik. Shqipërinë e ka bekuar Zoti me aq shumë bukuri sa kudo mund të ndërtohen nukla turistike dhe ç’është ajo që është më interesante, dhe më e bukur secila ndryshe nga tjetra.
Është gjithmonë kënaqësi që të mbledhemi këtu, është gjithmonë kënaqësi që unë të jem me kolegët e mi deputetë, me kolegët e mi ministra, apo kryetarët e bashkive, me ambasadorët e nderuar, që tashmë janë pjesë e skuadrës tonë. Nuk di nëse në karrierën tuaj të gjatë diplomatike ju ka ndodhur në vende të tjera që të bëheni pjesë e një skuadre. Pra, të bëheni pjesë e skuadrës së qeverisë, e skuadrës së pushtetit vendor, e ekspertëve të huaj që vijnë këtu për të na ndihmuar dhe të kontribuoni në një vend ashtu si vetë qytetarët e këtij vendi kontribuojnë.
Ka qenë një sezon turistik për tu mbajtur mend, ne i quajmë prova gjenerale, ishte ai i vitit 2023, ky ishte një Soft Opening dhe patjetër 2025 do jetë akoma më i fuqishëm si sezon.
Megjithatë, për të mos përsëritur të gjithë numrat që Mirela i tha, dhe bëri mirë që i ndau, sepse ne mund të themi fjalë, por ato që mbeten dhe që janë të pakontestueshme, janë shifrat. Janë analizat që bëjmë pas sezonit. Dhe është e vërtetë që po mblidhemi tashmë në mes të tetorit, dhe e dini pse, sepse sezoni s’ka mbaruar akoma, mund të mblidheshim edhe në nëntor.
Zyra ime, pra Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë një nga ndërtesat ndodhet në sheshin Skënderbej, dhe për t’ju thënë të drejtën janë dy momente gjatë ditës, një kur unë duhet të dal nga zyra për të bërë takime, është plotësisht e vështirë sepse para derës së ministrisë aty ku ndodhet BunkArti ka qindra turistë të cilët vazhdojnë dhe vijnë dhe nuk kanë lidhje me sezonin veror, ata do të vijnë edhe në dimër. Dhe nga ana tjetër është kur ti je në sallat e mbledhjeve dhe je duke diskutuar, dëgjon zërin, se tashmë ciceronët janë të gjithë të pajisur me mikrofonë, të cilët shpjegojnë historinë e vendit tonë, dhe ti shikon qindra njerëz të rinj në moshë apo në mosha edhe më të thyera që dëgjojnë historinë e një vendi që për ata ka qenë i paarritshëm. Fillimisht, sepse ishte i mbyllur nga komunizmi dhe më pas sepse për Shqipërinë flitej vetëm keq dhe kishin frikë të vinin. Ndërkohë që sot flukset e turistëve, padyshim janë të paparashikueshme edhe nga vetë ne.
Kur e kemi nisur vitin në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, kemi patur një sërë targetesh për të kapur nga njëra anë dhe nga ana tjetër kemi patur edhe disa parashikime të vendosura që kishin të bënin me numrin e automjeteve që do përshkonin rrugët tona të reja si Thumanë-Kashar, apo edhe tuneli i Llogarasë, dhe nga ana tjetër numrin e turistëve nga ajri që është edhe numri më i madh dhe i konsiderueshëm. Por asnjë nga këto parashikime nuk ka qenë i përafërt, pasi të gjitha janë tejkaluar me disa fish. Nga 1 janari dhe deri në 30 shtator të këtij viti, pra vetëm në 9 muaj në aeroportin ‘nënë Tereza’, janë përpunuar 8 milionë e 250 mijë pasagjerë ose 53.7% më shumë pasagjerë se në vitin 2023. Ndryshe nga të gjitha vendet ne nuk krahasohemi me pesë vjeçar, apo afatmesëm me tre vejçarë. Krahasimet tona po t’i shikoni janë gjithmonë nga viti në vit.
Pra, kemi patur një rritje ekspansionale nga 2022 në 2023 dhe ashtu ka vazhduar edhe në 2024, 53.7 % më shumë pasagjerë në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Në të njëjtën periudhë janë përpunuar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit 53 320 avionë, ose e thënë ndryshe 44.5% më shumë avionë krahasuar me vitin 2023. Parashikimet që kemi bërë për numrin e pasagjerëve në aeroportin e Rinasit, deri në fund të vitit janë 10.4 milionë pasagjerë, por duke parë se çfarë ka ndodhur në 9 mujorin e parë, jemi të sigurt se edhe kjo shifër e planifikuar do të tejkalohet me disa fish.
Nga ana tjetër kini parasysh që parashikojmë që ky vit të mbyllet me 69 mijë fluturime të cilat janë shpërndarë edhe gjatë vitit në mënyrë të barabartë, jo ashtu siç i kishim para vitit 2022, kur sezoni fillonte diku në fund të muajit qershor dhe mbaronte në fund të muajit gusht. Në një ditë të vetme në aeroportin e Rinasit gjatë këtij viti, kemi patur 45 100 mijë pasagjerë.
Ndërkohë që numri i destinacioneve të reja ka ndryshuar totalisht edhe brenda një viti. Nga 109 destinacione të reja që kishim nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Europës gjatë vitit të kaluar, këtë vit kemi patur 136 destinacione të reja. Gjithë ky zhvillim me shifra entuziaste, nuk ka ardhur kaq thjesht. I gjithë ky zhvillim i infrastrukturës në vend ka ardhur i bazuar në një strategji të mirëfilltë kombëtare, të cilën e kemi shpalosur bashkë me programin qeverisës në vitin 2021 dhe me shumë krenari, unë e them gjithmonë këtë, i kemi qëndruar pikë për pikë. Jo vetëm me mënyrën se si është zhvilluar, pra projekte të dizenjuara dhe të hartuara në mënyrë të detajuar në një kohë të gjatë, të cilat janë implementuar përmes garave ndërkombëtare, por nga ana tjetër i kemi qëndruar me përpikmëri edhe kalendarit, kohës së dorëzimit të secilit projekt.
Duhet thënë gjithashtu që edhe viti 2025 do ketë një sërë risish në infrastrukturë, por ajo çka është më e rëndësishme për industrinë e turizmit është dorëzimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, duke i dhënë Shqipërisë një nga aeroportet më të mëdha në rajon, me një pistë të kategorisë E, 3.2 kilomentra, ku ne aspirojmë, synojmë dhe jam e sigurtë që do ia dalim që të fillojmë dhe të kemi edhe udhëtime transoqeanike të cilat nuk do limitojnë më as numrin e turistëve të cilët sot vijnë, por vijnë përmes disa fluturimeve nga kontinentet e tjera.
Discussion about this post