Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se, “investimet në sektorin energjetik shqiptar në këto pesë vitet e fundit, kanë shënuar një gur kilometrik, me synimin për ta kthyer vendin në 2030 në një eksportues neto të energjisë”.
Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Fier, Balluku foli për arritjet në fushën e energjisë dhe planet për zhvillimin e këtij sektori në të ardhmen, teksa evidentoi se sot prodhimi i energjisë në vend arrin 135% më shumë nga 2013-a.
“Kjo është tryeza e energjisë që përfaqëson të gjithë bashkëpunimin me sektorin publik dhe privat, pasi kur vjen puna tek energjia kemi bërë një punë shumë të mirë, sa i takon përmirësimit të legjislacionit me BE. Kemi ngritur sisteme kontrolli, kemi investuar për rritjen e prodhimit energjetik dhe diversifikimin e energjisë”, tha Balluku, ndërsa nënvizoi se ambicia është për ta çuar vendin në një hap përpara për transmetimin energjetik, nisur nga pozicioni gjeografik dhe gjeopolitik.
Ajo solli në vëmendje situatën e rëndë në të cilën gjendej sektori në vitet 2013, ku niveli i humbjeve në rrjet shënonte 45%, arkëtimet ishin deri në 75% dhe humbjet financiare shënonin 710 milionë euro, që impaktonin konsumatorin dhe bizneset.
Në atë periudhë u krye edhe privatizimi i tre HEC-eve, duke krijuar një boshllëk në të gjithë sistemin e prodhimit. Gjithashtu, u krye privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, që në atë kohë krijoi një situatë edhe më të rëndë në sektorin energjetik.
Sot, tha ajo, reformat, investimet dhe projektet e kanë transformuar sektorin në zhvillim me tregues pozitivë.
“Kemi forcuar sistemin e shpërndarjes me fokus sistemin prodhues, KESH-in, ku investohet në rehabilitimin HEC-eve, duke nisur me Vaun e Dejës, të Komanit apo në Fierzë, për të krijuar një rikonstruksion të digave të kaskadës, ndërsa kemi investuar në digjitalizimin e proceseve. Ndërsa në 2019-n nisëm procesin për diversifikimin e energjisë elektrike dhe prodhimin e energjisë përmes parqeve fotovoltaike”, tha Balluku.
Balluku tha se, “Strategjia Kombëtare për diversifikimin e energjisë, shënoi një hap tjetër të rëndësishëm, për shkëputjen e varësisë së prodhimit hidrik, ku në vitet e thata kemi vuajtur jo vetëm nga importet, por edhe çmimet e larta”.
“Në 2019 vendosëm të zhvillojmë diversifikimin, duke nxitur dhe mbështetur investimet e sektorit privat jo vetëm në parqet e vogla fotovoltaike, por edhe me ankandet e para ndërkombëtare, që kishin si komponent edhe tokën e vendosur nga shteti. Investimet e kompanisë ‘Voltalia’ në parkun fotovoltaik të Karavastasë dhe Spitallës, janë model për t’u ndjekur, ndërsa kemi gati projektin e Akërnisë në Vlorë”, u shpreh ajo.
Balluku theksoi se, paralelisht në këtë sektor po investon edhe sipërmarrja private për ndërtimin e parqeve të vogla fotovoltaike dhe sot kemi 10% të energjisë të rinovueshme që vjen nga këto parqe, duke krijuar në zonën Karavasta – Nartë një pol të ri energjetik.
Ajo informoi se, qeveria ka nisur një studim të thelluar që do të japë për të ardhmen një hartë se si do të vazhdojnë investimet në sektorin energjetik, ku nuk mjafton vetëm të prodhohet, por dhe të transmetohet.
Balluku theksoi se, kohët janë sfiduese, teksa solli në vëmendje, rastin e Spanjës dhe Portugalisë, që kanë shpallur gjendjen e emergjencës nga rënia e rrjeteve të transmetimit.
“Transmetimi luan një nga rolet më të rëndësishme. Sot jemi të fokusuar jo vetëm tek prodhimi por edhe te transmetimi, si komponent jetik për të krijuar sigurinë energjetike. Ne këtë kuadër, po synojmë investime në linjat e tjera të transmetimit. Shqipëria është e lidhur mirë me rajonin, sot jemi në një fazë të ngritjes së kapaciteteve të reja. Linja me Greqinë do të trefishohet, presim të dorëzojmë linjën e interkonjeksionit me Maqedoninë e Veriut. Ndërlidhja mes Shqipërisë dhe Italisë, është një nga planet tona më me rëndësi, duke i dhënë kështu sistemit elektroenergjetik një tjetër komponent të rëndësishëm, ndërlidhjen me një pjesë të BE, që është tregu i vërtetë që kërkojmë të aksesojmë përmes kësaj linje nënujrore”, deklaroi Balluku.