Nga Jeta Dedja
Kemi hyrë në sezonin e dhënies dhe marrieve. Është goxha biznes po ta mendosh, marketing po e po, madje dhe politikë. Aq sa harron pjesën e kënaqësisë së përftuar nga dhënia dhe marrja. Mijëra lodra që qarkullojnë, ushqime që konsumohen, veshje që blihen për një natë, fonde që mblidhen për bamirësi dhe qendra të moshuarish e fëmijësh të stërdala çdo vit ekraneve. Ndihet disi presion kur hapim e-mailet dhe na shfaqen oferta e kërkesa të ndryshme. Diku duhet të dhurojmë, diku duhet të shpenzojmë, disa me vullnet të lirë, disa me detyrim, disa për tu dukur, disa për tu ndjerë, e të tjera e të tjera. Është e thjeshtë të tregohesh cinik e të refuzosh gjithçka të ofrohet e kërkohet.
Por nga ana tjetër dihet edhe kënaqësia që merr kur i dhuron dikujt, kur fal diçka nga vetja, nga të mirat e tua materiale apo intelektuale.
Fundi i vitit është rasti që shumica pret të marrë apo të japë. Jo të gjithë kanë mundësi t’ua thonë botës se çfarë do japin, kujt do t’ua japin dhuratat dhe çfarë kanë marrë apo çfarë synojnë të marrin. Ata që e kanë këtë mundësi dhe që dinë ta përdorin “bukur”, janë ata që shohim pothuajse çdo ditë. Janë ata, personazhet më të konsumuar dhe po aq rezistentë e të palodhur të medias shqiptare. E keni parë që si çdo fundviti, edhe këtë vit fotot dhe lajmet që mbizotërojnë sigurisht që janë ato të festimeve dhe shfaqjeve të bamirësisë. Ministra e deputetë që festojnë në kopshte e çerdhe, qendra sociale e shërbimesh për fëmijë e të moshuar.
Çdo vit e njëjta skemë, pothuaj i njëjti tekst lajmi, të ngjashme dhe sinkronet e atyre që po dhurojnë. Gati-gati më duken si kronika fushatash elektorale, por më të stisura. Duken tej mase hipokritë kur i sheh tek festojnë njerëz të pushtetshëm të veshur bukur krahas atyre që me zor ushqehen gjatë vitit. Po të kisha një media nuk do ti dërgoja gazetarët pas politikanëve në ditë festash.
Në gjykimin tim, një politikani ose anëtari qeverie, nuk mund ti atribuohet si vepër bamirësie nëse për gjithë ç’ka dhuruar është përdorur buxheti i shtetit dhe jo ai personal. Nëse qeveria apo institucionet e tjera shtetërore kanë ditur të menaxhojnë fondet publike dhe buxhetin e akorduar dhe si rrjedhojë kanë parashikuar një fond të posaçëm për kategoritë në vështirësi, atëherë bravo u qoftë. Le t’ua akordojnë ndihmën.
Por pse me bujë kamerash??? Duket sikur mezi kanë pritur të gjithë festat e fundvitit të shkojnë të festojnë me fëmijët e botës dhe pa fëmijët e tyre me vete. Nëse dikush prej tyre do kishte kaq humanizëm dhe thirrje të brendshme për të dhënë e ofruar ndihma, viti ka edhe 360 ditë të tjera. Pra dua të themse bamirësia e shtetit, sidomos kur është tepër modeste nuk ka nevojë të reklamohet e trumbetohet. Ndonjëherë duket si shumë zhurmë për asgjë, për të qeshur e për tu tallur, njëlloj si 3 mijë lekëshi i pensionistëve. Nuk ka nevojë të bëhet i bujshëm një akt dhënieje për njerëz në nevojë, nëse qëllimi është vërtet ndihma. Ah vetëm nëse synojnë që përmes aktit të dhënies apo bamirësisë falso të synojnë marrjen në një të ardhme të afërt të votave në këmbim. Ose thjesht të kënaqin egon e tyre duke besuar edhe vetë në altruizmin e tyre të lindur.
Nga ana tjetër i përgëzoj organizatat që mobilizohen e kryejnë vepra të mira për shtresat në nevojë, sidomos ato organizata që nuk presin fundin e vitit për ta bërë këtë. Gjithashtu i uroj ata individë, me nisma personale e të panjohur për median që i falin vazhdimisht me bujari dikujt. Edhe njerëzit e njohur të fushave të ndryshme jashtë politikës, që ndërmarrin fushata ndërgjegjësuese bamirësie i vlerësoj. E vënë emrin dhe kohën e tyre në funksion të një kauze të ndjerë. Në këtë rast më pëlqen ti shoh në media e madje tu bëhet publicitet në çdo edicion informativ apo program të dedikuar. Në fund të fundit është një sjellje frymëzuese, motivuese, prosociale që veçse dobi sjell e aspak dëm për shoqërinë. Kjo është për mua bamirësia e vërtetë, të cilën dua ta shoh në median shqiptare!
Discussion about this post