Një bandë emigrantësh shqiptarë, të cilët shënjestronin pronarët e pasur të shtëpive dhe turistët në gjirin e Costa Del Sol të Spanjës, janë arrestuar nga policia.
Sipas hetuesëve, rreth një e treta e 73 viktimave të grabitjeve, ishin britanikë.
Shumica gjendeshin në shtëpitë e tyre luksoze gjatë kohës kur ndodhnin grabitjet. Kryesisht të prekura ishin zonat e banuara të Nueva Andalucias pranë Marbellas, ku ndodhej dhe prona e Max Clifford, një ish-publicist.
Një prej viktimave të vjedhjes së bandës ishte edhe një princeshë nga Jordania, që thuhet se i kanë vjedhur rreth 45.000 paund.
Hetuesit thonë se mënyrat e vjedhjeve ishin identike në të gjitha shtëpitë. Grabitësit zgjidhnin banesat më luksoze dhe koha e aksionit të tyre ishte ndërmjet orës 1 – 5 të natës, kur të zotët e shtëpive ishin në gjumë.
Pasi vidhnin para, stoli dhe sende të tjera me vlerë, ata largoheshin me makinat e viktimave të tyre, shumica e të cilave ishin marrë me qira nga këta të fundit, në aeroportin e Malagas.
Pesë nga anëtarët e bandës, tre burra dhe dy gra të moshës nga 21 deri në 39 – vjeç u arrestuan në Granada dhe Torremolino, në Costa del Sol, pas një shkëmbimi zjarri me policinë. Ndërsa anëtarët e tjerë të bandës u kapën në flagrancë në një vilë në Marbella, pasi kishin lënë gjurmë të identitetit të tyre në një makinë të braktisur.
Operacioni i policisë mbante emrin “Operacioni Mbretëror”.
Autoritetet gjetën rreth 20 automjete të vjedhura, të cilat iu kthyen pronarëve të tyre, së bashku me katër ora të shtrenjta, unaza diamanti dhe më shumë se 9,000 paund para “cash”.
Shoferi i bandës thuhet se i linte bashkëpunëtorët e tij në pronat ku ata plaçkisnin sende me vlerë dhe më pas i merrte sërish në fund të natës, kur ata kishin mbaruar punë. Ai është mes të arrestuave dhe do qëndrojë në burg deri në ditën e gjykimit.
Sipas policisë spanjolle, disa prej tyre kanë të dhëna penale për krime të rënda.
Dy prej të dyshuarve të tjerë janë dërguar në burg në pritje të një hetimi të mëtejshëm.
Një zëdhënës i Policisë Kombëtare të Spanjës tha: “Oficerët e policisë dhe oficerët nga Garda Civile janë bërë pjesë e një operacioni të përbashkët me synim “çmontimin” e një organizate kriminale e cila për momentin dyshohet për 73 vjedhje, kryesisht në pronat luksoze, në resortet e Marbellas, Esteponas, Mijas dhe Torremolinos, në Costa Del Sol.
“Britanikët janë ata të cilët janë më të shënjestruarit nga kjo bandë, në krahasim me personat e kombësive të tjera”, tha ai më tej.
Ishin të shumtë turistët të cilët pushonin në Costa Del Sol, makinat e të cilëve u vodhën nga kjo bandë.
Objektivi kryesor i tyre, përveç makinave, ishin të hollat dhe stolitë. Kriminelët i shkrinin bizhuteritë prej ari për t’i dërguar në vendin e tyre të origjinës (Shqipëri), ku disa prej tyre kanë dhe dosje kriminale për krime serioze./tvklan.al