Ekonomia u kreditua me rreth 795.6 miliardë lekë në muajin qershor të këtij viti sipas të dhënave më të fundit të “Bankës së Shqipërisë”.
Ndërkohë, në muajin maj kredia për ekonominë regjistroi një total prej 782.9 miliardë lekë. Pra, në harkun kohor të një muaji kredia rezulton rreth 1.6% më e lartë, më një shtesë prej 12.6 miliardë lekë. E matur me qershorin e vitit të shkuar, kredia këtë vit rezulton 11.5% më e lartë, me një shtesë prej afërisht 82 miliardë lekësh apo afro 800 milionë eurosh. Kjo rritje i atribuohet kryesisht zgjerimit të kreditimit të “Korporatave të tjera financiare”. Nga ana tjetër, edhe kredia për biznesin ka shënuar përmirësim të dukshëm. Nga 438.2 miliardë lekë në maj, ajo është shtuar me më shumë se 9 miliardë lekë në qershor, duke arritur në rreth 447 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, kredia për biznesin është rritur me rreth 10.6%.
KREDIA SIPAS VALUTËS
Por si paraqitet kredia sipas valutës? Nga të dhënat e “Bankës së Shqipërisë” duket se kredia në valutë është paraqitur po ashtu me rritje. Në muajin qershor kredia në monedhën e huaj për bizneset është rritur me 2.8%, ndërkohë që kredia në lekë ka shënuar një rritje më modeste se ajo në valutë me 1.3%, krahasuar me muajin maj. Po të shtrijmë analizën në harkun kohor të një viti shohim se kredia për bizneset në valutë është rritur me 5.8% në qershor të këtij viti, krahasuar me qershorin e viti 2023, ndërkohë në monedhën vendase ka pasur një rritje të fortë prej 16.5%.
TË ARDHURAT NË BUXHET
Të ardhurat e mbledhura në buxhet gjatë gjysmës së parë të vitit arritën në rreth 342.8 miliardë lekë ose 102.5% e planit të së njëjtës periudhë. Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Financave, lidhur me treguesit fiskalë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, u mblodhën rreth 22.85 miliardë lekë më shumë, ose 7.1% më shumë se 6-mujori i vitit 2023.
Të ardhurat e arkëtuara nga doganat dhe tatimet, përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga DPT, arritën në 297.5 miliardë lekë, 26.8 miliardë lekë ose 9.9% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023, si dhe 5.2 miliardë lekë ose 1.8% më shumë se plani 6-mujor për vitin 2024. Ndërkohë, sipas MF-së, shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 6 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 291.4 miliardë lekë me një realizim në masën 93.1 për qind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ato rezultojnë 6.4 për qind më të larta ose rreth 17.5 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 6 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 39.5 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 39.2 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 1 datë 21.02.2024 (AN nr.1).
Shpenzimet korente për periudhën 6 mujore të vitit 2024 rezultuan në rreth 264.8 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 9 për qind më i lartë ose rreth 21.9 miliardë lekë më shumë.