Banka e Shqipërisë do të do të synojë hartimin e instrumenteve të reja për të llogaritur kërkesat e diferencuara të kapitalizimit të bankave të veçanta, në përputhje me profilin e tyre të rrezikut.
Në strategjinë afatmesme të zhvillimit të Bankës së Shqipërisë 2024-2026 parashikohet hartimi i instrumenteve metodologjike dhe operacionale për një kalibrim më të mirë të kërkesave për kapital të diferencuar, në përputhje me profilin e rrezikut të çdo banke. Sipas dokumentit, metodologjitë e reja do të zbatohen paralelisht me ato ekzistuese gjatë një periudhe kalimtare.
Përveç kërkesave që kuadri ligjor dhe rregullator për bankat përcakton për të gjitha bankat tregtare apo për grupe të veçanta të tyre (kryesisht bankat me rëndësi sistemike), Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë për banka të veçanta aplikimin e niveleve të diferencuara në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit.
Të tilla nivele janë aplikuar në dekadën e fundit për banka që paraqisnin elementë specifikë ose shtesë rreziku, për shembull bankat me kapital aksioner grek, pas krizës që përfshiu ekonominë e vendit fqinj.
Në tërësi, kërkesat për kapital janë rritur ndjeshëm ndaj sektorit bankar, pas aplikimit gradual në pesë vitet e fundit të shtesave makroprudenciale dhe të atyre të lidhura me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL).
Në fund të tremujorit të tretë 2023, kapitalizimi i sektorit bankar arriti nivelin më të lartë historik. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 19.63%, nga 19.3% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në funksionet e saj si mbikëqyrëse e sektorit bankar, Banka e Shqipërisë parashikon edhe një sërë objektivash të tjera për tu përmbushur në periudhën afatmesme.
Ndër to, është adoptimi i standardeve të mbikëqyrjes sipas Bazel III dhe akteve të tyre zbatuese në Bashkimin Europian, veprim që synon forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bankar për përthithjen e goditjeve, në mënyrë që bankat të vazhdojnë të financojnë aktivitetin dhe rritjen ekonomike.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë do të vazhdojë përditësimin e kuadrit për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe kapitalin rregullator, për sa i përket rrezikut të kredisë, rrezikut të tregut, rrezikut operacional, dhe rrezikut të normës së interesit në librin e bankës.
Banka e Shqipërisë parashikon përditësim të kuadrit rregullator për mbikëqyrjen e rrezikut operacional dhe rrezikut të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit dhe rrezikut kibernetik. Adoptimi i standardeve ndërkombëtare për vlerësimin e mjaftueshmërisë
së perimetrit të sigurisë ndaj sulmeve kibernetike dhe të vijueshmërisë së veprimtarisë së subjekteve të licencuara. Në këtë drejtim, synohet gjithashtu rritja e bashkëpunimit me bankat për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike dhe kontributi aktiv në strukturat e industrisë bankare për shkëmbimin e informacionit dhe bashkërendimin e reagimit, në kohë reale, ndaj çdo incidenti./ MONITOR
Discussion about this post