Banka Qendrore e Rusisë ka pezulluar ndërhyrjet në monedhë në mbështetje të “rublës”, njoftoi të hënën kryetarja e rregullatorit, Elvira Nabiullina.
Sipas Nabiullina, ndërhyrjet e mëtejshme janë të pamundura për shkak të sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së për krizën në Ukrainë.
“Për shkak të kufizimeve në përdorimin e rezervave valutore në dollarë dhe euro, sot nuk kemi bërë asnjë ndërhyrje. Qeveria ka shpallur vendimin për shitjen e detyrueshme të 80% të fitimeve nga eksporti. Kjo masë do të sigurojë një furnizim të barabartë tw valutës në tregun vendas të këmbimit valutor për të plotësuar nevojat e importuesve dhe qytetarëve. Njëkohësisht po ndërmarrim një sërë hapash për të kufizuar eksportin e kapitalit nga jo-rezidentët”, tha Nabiullina.
Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, divizioni i Departamentit të Thesarit të SHBA-së përgjegjës për zbatimin e sanksioneve, i ka ndaluar rezidentët amerikanë të angazhohen në çdo transaksion me Bankën e Rusisë, Ministrinë Ruse të Financave dhe Fondin Sovran të Pasurisë.
“Direktiva e Transaksioneve Sovrane lidhur me Rusinë do të pengojë përpjekjet e Rusisë për të mbështetur monedhën e saj që po zhvlerësohet me shpejtësi duke kufizuar furnizimet globale të rublës dhe aksesin në rezervat që Rusia mund të përpiqet të shkëmbejë për të mbështetur rublën”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Thesarit në. e hënë.
Për të mbështetur monedhën, Ministria e Financave e Rusisë ka urdhëruar bizneset që tregtojnë jashtë vendit të shesin 80% të fitimeve të tyre në valutë të huaj dhe t’i konvertojnë ato në rubla.
Sanksionet për konfliktin në Ukrainë e kanë çuar monedhën ruse në rënien e saj në nivelet më të ulëta historike.
Rubla ka humbur rreth 30% të vlerës së saj që nga dita e fundit e tregtimit të premten. Të hënën, monedha ruse ra deri në 109 rubla për dollar dhe në 122 rubla për euro përpara se të rikuperonte disa nga humbjet. Kursi i këmbimit për ditën e martë, 1 mars është vendosur në 93.5 rubla për dollar dhe 104.4 rubla për euro.