Banorët e Astirit kanë dalë sërish sot në protestë kundër projektit të vijimit të projektit për ndërtimin e Unazës së Re pasi sipas tyre ai është korruptiv dhe dëmton pa të drejtë banesat dhe bizneset e tyre.
Në ditën e 99-të të protestës janë shprehur se janë të vendosur për vijimin e protestës deri në anullimin e plotë të projektit.
Ata kanë hedhur akuza të forta kundër kryeministrit Rama dhe Erion Veliajn të cilin e akuzuan si vrasësin e Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës.
Protestës së tyre i është bashkuar si gjithmonë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu i cili u shpreh se, sot në gjithë Shqipërinë qytetarët janë ngritur në protesta kundër qeverisë.
Sipas Balliut krimi dhe korrupsioni qeveritar i kanë ngritur shqiptarët në gjithë vendin në këmbë duke protestuar kundër saj.
Balliu ftoi qytetarët që ti bashkohen protestës së 16 shkurtit e cila sipas tij do të shënojë edhe fundin e Edi Ramës në pushtet.
“Rezistenca juaj dhe e qytetarëve shqiptarë do të vazhdojë deri në rrëzimin e kësaj qeverie kriminale dhe korruptive”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)