Pas paralajmërimit të INUK se sot në mëngjes ishte afati kur banorët e Astirit duhej të lironin banesat pasi do të zhvillohej aksioni për shembjen e tyre, banorët kanë dalë në protestë për ta kundërshtuar këtë vendim, ndërsa Faxweb.al mëson se aksioni është shtyrë për nesër.
Burime bëjnë me dije INUK do të mbërrijë në orën 05:00 dhe aksioni për shembjen e banesave do të nisë një orë më vonë, pra në orën 06:00, ndërkohë që po në këtë orë do të mbërrijnë edhe mjetet e shërbimit zjarrëfikës.
Mësohet gjithashtu se banorët do të qëndrojnë përgjatë gjithë natës në gatishmëri, dhe ashtu sikurtse shihet në fotot e mëposhtme një grup I madh I tyre ndodhen në vendin ku protestojnë çdo natë.
Kujtojmë se paraditen e sotme, banorët u shprehën për Fax News se nuk janë kundër projektit, por ata kërkojnë dialog me qeverinë për zgjidhjen dëmshpërblimit të banesave të tyre.
Ndërkohë lidhur me protestën e tyre ka reaguar edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili në një postim në rrjetet sociale shkruan se “një pjesë e familjeve kanë marrë paratë për ndërtimet pa leje në mes të rrugës, pjesa tjetër në foto është futur për zhvillim duke liruar rrugën e duke marrë nga 1-3 apartamente në këmbim!
“Astiri? Një pjesë e familjeve kanë marrë paratë për ndërtimet pa leje në mes të rrugës, pjesa tjetër në foto është futur për zhvillim duke liruar rrugën e duke marrë nga 1-3 apartamente në këmbim!
Bullizmi politik i partive që bllokojnë punët publike nuk ka vend në Tiranë!”- shkruante Veliaj.
Pas këtij postimi banorët e Unazës së Re kanë komentuar në faqen e Veliajt, duke i shkruar që të qetësohet dhe se për këtë do të flasin nesër.
“Qetësohu! Flasim nesër!”– shkruan faqja e menaxhuar nga banorët e Unazës së Re, koment i cili është fshirë mënjëherë nga Veliaj.