Banorët e Bërxullës kanë dalë sërish në protestë sot para Parlamentit. Sipas tyre devijimi i projektit të aksit Thumanë-Kashar prek dhjetëra banesa dhe shumë sipërfaqe tokë bujqësore. Ata shprehen se nuk do të lejojnë zhvillimin e këtij projekti pa marrë kompensim për pronën sipas çmimit të tregut.
“U spostuam nga kryeministria deri te parlamenti që të bëjmë me dije të drejtën tonë që po shkelet nga vetë pushtetarët. S’ka përgjigjie nga institucionet se çfarë do bëhet me pasurinë tonë që e kemi me çertefikatë e të gjitha. Ku do vemi ne?”-tha një nga banorët.
Një tjetër u shpreh se do luftojnë në mënyrë ligjore deri në momentin e fundit, duke theksuar se më pas nuk dihet si do përshkallëzojë situata.
“Duke parë ecurinë e gjithë këtyre ditëve që protestojmë, na janë shuar shpresat, kërkesat tona janë në vesh të shurdhër. Rruga është 22 metër e gjerë plus 40 metra mur mbajtës, pse bëhet ky mur? Pse të kushtojë gjithë këto metra katrorë, këta duan të fusin lekë në xhepat e tyre. Me pronën time pasurohen, më hiqet prona përgjithnjë dhe ai e shfrytëzon, e patolerueshme”-përfundoi një tjetër banor.
“Dua djersën time, pronën time!”-ishte thirrja e përsëritur e protestuesve.