Prej disa ditësh banorët e Dukagjinit janë lënë pa mjete transporti për shkak se asnjë kompani që operon në zonë nuk është pajisur me liçensë.
Ndërkohë sot pas protestës së qytetarëve në ambientet e jashtme të Bashkisë, ky institucion ka reaguar.
Deklarata e bërë nga Vildan BROJA- Përgjegjës i Sektorit të Transportit në Bashkinë Shkodër:
Bashkia e Shkodrës, me vendim të Këshilli Bashkiak ka miratuar linjën e transportit Shkodër- Shalë me stacione.
Për këtë linjë, është hapur konkurrimi për të gjithë të interesuarit, të cilët kanë aplikuar. Theksojmë se për këtë linjë ka aplikuar vetëm një subjekt, i cili ka marrë edhe licensën për transport udhëtarësh.
Ndërkohë, ne po vazhdojmë përpjekjen tonë për të ndihmuar të interesuarit për të operuar në fushën e transportit të udhëtarëve, pas kërkesave që kanë ardhur nga Njësitë Administrative Shosh e Pult. Kemi nisur procedurat e nevojshme për kalimin në Këshillin Bashkiak të vendimit për hapjen e dy linjave të tjera Shkodër- Shosh dhe Shkodër- Pult. Në mbledhjen e ardhshme, propozimi do të kalojë për miratim para Këshillit Bashkiak.
Nga ana tjetër, formalizimi apo licensimi është një detyrim ligjor për të gjithë sektorin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave. Kjo i shërben sigurisë së qytetarëvë që qarkullojnë në Njësitë Administrative Shalë, Shosh e Pult. Po ashtu nënvizojmë se taksat dhe tarifat e Bashkisë janë krejtësisht të ulëta dhe të mundshme për tu përballuar.
I gjithë ky proces, është paraprirë nga takime dhe konsultime me operatorët e interesuar por edhe me banorë të zones. Madje, unë personalisht kam takuar disa herë personat e interesuar, të shoqëruar edhe nga administratorët e Njësive Administrative përkatëse, të cilëve për hir të ruajtjes së privatësisë së tyre nuk po ua përmend emrat. Theksoj se personat që sot kanë paraqitur disa shqetësime në media, nuk i kam takuar asnjëhere sepse nuk kanë ardhur të interesohen në sektorin përkatës të Bashkisë Shkodër.
Si deri më tani, Bashkia Shkodër është e hapur për të diskutuar dhe gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme në interes të komunitetit edhe për transportin e udhëtarëve.
(E.K/FAXWEB.AL)
Discussion about this post