Banorët e fshatit Lami i Madh protestojnë prej kohësh kundra HEC-eve në lumin Zall Gjocaj që pritet të ndërtohen.
Ata kërkojnë pezullimin e punimeve të HEC-it në lumin Zall Gjocaj, për arsye se punimet po sjellin ndotjen e ujit të pijshëm dhe po u shterrojnë burimet.
Banorët kanë bërë kërkesë në gjykatën administrative për pezullimin e punimeve, por kërkesa është rrëzuar nga gjykata.
Ata kërkojnë nga kuvendi të ndalojë ndërtimin e HEC-it në Burrel dhe shprehen se askush nuk i ka pyetur në lidhje me këto projekte. Banorët thonë se gjithçka është zhvilluar në kurriz të tyre dhe se nuk kanë ndërmend t’i ndalin protestat derisa të fitojnë të drejtën e tyre.
“Kërkojmë më këmbëngulje që ai ujë të mos merret dhe do protestojmë me çdo mjet demokratik për të mos e lejuar të merret. Ne kemi bërë padinë në gjykatë dhe kemi ardhur tre-katër herë, por gjyqtarja na thotë hajdeni nesër, hajdeni javën tjetër ose dilni jashtë dhe nuk na jep asnjë përgjigje. Është 6 orë rrugë më makinë. Prandaj ne do protestojmë dhe nuk do të lejojmë që ai ujë të merret,” është shprehur një nga banorët për Fax News.
Ndërkohë, kryeplaku I fshatit Zallgjoçaj tha se askush nuk e ka pyetur për atë ujë dhe se nuk është dakort me asnjë nga letrat e përgatitura nga firma. “Ato letra që kanë përgatitur ato nga kryepleqtë e Mirditës, I kanë letra higjenike, se nuk kanë pyetur asnjë njeri. Unë do jap dhe jetën për atë ujë, le të jem viktima e parë.” u shpreh ai.
Sazan Guri, që është gjendur në mbështetje të banorëve, tha se atyre po iu merret padrejtësisht ajo që quhet vetë jeta.
“Ne kërkonim që gjykata të jepte drejtësi duke qenë se banorëve iu merret ajo që quhet jeta, që është vetë uji. Banorët kanë lidhur jetën e tyre pikërsiht me këtë burim ujor. Jemi në një rast flagrant ku në qoftë se gjykata nuk vendos drejtësinë, banorët do e vendosin vetë. Kanuni 10 mijë vjeçar është më i fortë se ligjet 100 vjeçare, prandaj të mos kalojmë në vendosje midis njerëzve por ta vendosim me anë të administratës, me anë të gjykatës, parlamentit, kuvendit etj,. Tani jemi pranë degjesës publike me parlamentin, me Komisionin e Veprimtraisë Prodhuese dhe të Mjedisit dhe të gjithë banorët do shprehen në këtë dëgjesë publike që nuk bëri vetë shteti. Tani e bëjnë vetë banorët me shtetin këtë dëgjesë publike.”
Deputeti i opozitës së re, Halit Valteri është gjendur gjithashtu në mbështetje të banorëve duke iu premtuar atyre se nuk do të lejojë ndërtimin e hidrocentralit.
Banorët gjithashtu kanë zhvilluar një bashkëbisedim në komisionin Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese me Niko Peleshin dhe Ulsi Manjën.