Banorët e prekur nga përmbytjet e para disa ditëve në zonën e Babrrusë në Tiranë kanë nisur sot grevën e urisë. Bëhet fjalë për rreth 35 familje të cilat pas dëmtimit të shtëpive të tyre nga lumi janë vendosur përkohësisht të strehohen në palestrën e një shkolle. Mes banorëve që do të nisin grevën ka edhe fëmijë. Ata kanë kërkuar një zgjidhje nga shteti, sepse sipas tyre nuk mund të qëndrojnë përgjithmonë të jetojnë në ato kushte.
Sipas asaj që ata kanë deklaruar prej ditësh ambjentet e tyre të shtëpisë janë të pabanueshme. Dy janë kërkesat që ata kanë ngritur. Së pari është strehimi i tyre nga shteti në banesa të përshtatshme, dhe së dyti kreditim me interes të ulët dhe afatgjatë.
Edhe pse tashmë kanë kaluar disa ditë nga përmbytjet ende nuk është dhënë një reagim nga institucionet për t’iu siguruar këtyre banorëve një zgjidhje e përshtatshme.