Banorët e Astirit kanë dalë në protestë gjatë ditës së sotshme duke bllokuar edhe rrugën në këtë zonën, pasi sipas tyre nga punimet që po bëhen për ndërtimin e “Unazës së Madhe” po u prishen shtëpitë dhe bizneset.
Me dhjetra banorë kanë mbushur rrugët në mbrojtje të pronës së tyre, ata thonë se shteti në bashkëpunim me privatët po i nxjerr më dhunë nga shtëpitë dhe bizneset me qëllim ndërtimin e të tjera objekteve në këtë hapësirë.
Gjatë ditëve të fundit sipas tyre përfaqësues të firmave private dhe të Ministrisë së Transporteve dhe ARRSH, kanë paralajmëruar qytetarët se për një afat kohor 2 – javorë gjithçka do të rrafshohet për lirimin e hapësirës.
Banorët shprehen për Fax News se janë njofutar vetëm 4 ditë më parë se do t’ju shemben shtëpitë pasi kalon projekti për ndërtimin e “Unazës së Madhe”.
Qytetarët i bëjnë thirrje shtetit që t’i mbrojë ata dhe pronat e tyre në të kundërt – thona ata – për pronën dhe familjen jemi gati t’ju shpallim luftë oligarkëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Po ashtu të gjithë banorët janë shprehur të vendosur për të vijuar protestën, madje disa prej tyre kërcenojnë se do të flijohen për të mbrojtur pronën e tyre.