Ma datën 18 maj pritet të rihapen baret dhe restorantet, ndërkohë që E-Albania ka publikuar edhe masat dhe protokollet që do të zbatohen nga bizneset. Protokolli përmban rregulla të qarta për klientët, punonjësit, shpërndarësit dhe furnizuesit.
Sipas udhëzimeve saktoësohet se administratorët e bareve dhe restoranteve duhet të monitorojnë në vijimësi gjendjen e punonjësve të tyre dhe nuk duhet lejuar askush të vijë në lokal nëse shfaq simptoma të COVID-19 dhe ka temperaturë 37.5.
Nëse punonjësit shfaqin simptomat duhet telefonuar menjëherë mjeku i familjes. Gjithashtu çdo punonjës i bar – kafesë ose restorantit është i detyruar të deklarojë te përgjegjësi nëse ka pasur kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Punonjësit do të jenë gjatë gjithë kohës me maska dhe doreza dhe duhet të dezinfektojnë e lajnë duart sidomos pas marrjes së parave nga klienti.
Dorezat e dyerve, tavolinat, tabaka shërbimi dhe banakët e lokaleve në bar dhe restorant duhet të dezinfektohen dhe pastrohen shpesh. Personeli i barit duhet të qëndrojë 1.5 metër larg nga klienti, ndërsa nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të tjera. Protokolli i sigurisë rekomandon pagesën e parave në kartë krediti për shmangur prekjen e parave cash.
Në lidhje me tavolinat duhet respektuar distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë të paktën 1m larg, e për rrjedhojë, klientët ta shohin përballë njëri – tjetrin nga një distancë prej të paktën 2 metra.
Subjekti bar – kafe ose restorant për të ruajtur distancimin fizik me klientët duhet të sigurojë një korridor të dedikuar për klientët deri në nivelin e arkës dhe duhet të vendosë shenjat vizuale në dysheme, shirita me ngjyra, ose shenja për t’u treguar klientëve respektimin e distancës fizike.
Discussion about this post