Fjalimi ditën e djeshme i liderit të opozitës Lulzim Basha në forumin e PPE-ve në Maltë nuk u prit aspak mirë nga ministri i jashtëm Ditmir Bushati.
Bushati tha se Basha ka baltosur atdheun me atë deklaratë që bëri.
‘’ Lulzim Basha theu sërish një rregull të pashkruar por elementar të jetës publike: në gjuhë të huaj dhe jashtë shtetit nuk hidhet baltë për atdheun!’’, shkruante Bushati.
Ndërkohë që një përgjigje për ministrin e jashtëm ka pasur dhe ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Ai i ka kujtuar Bushatit se në vitin 2011 opozita e kohës përfshirë edhe Bushatin kanë bërë publike ndërkombëtarisht një sajesë të gruas së kryetarit të Bashkisë Kavajë Elvis Rroshi.
‘’Ditmiri ka të drejtë! Opozita s’mund të flasë keq për atdheun! Për rastin “Griselda” në 2011 opozita atëhere shkruajti, përveç se shpifi!’’, shkruan Manjani.
Kujtojmë se gruaja e Rroshit u përfol se u rrëmbye dhe i kishin hequr fëmijën dhe opozita e serviri këtë si sulm politik.
SHKRIMI I PLOTË I BUSHATIT:
Lulzim Basha theu sërish një rregull të pashkruar por elementar të jetës publike: në gjuhë të huaj dhe jashtë shtetit nuk hidhet baltë për atdheun!
Aq më tepër kur dihet se partitë serioze europiane nuk impresionohen nga shpifjet apo çadrat e mëkatarëve, sepse masin ecurinë reale të reformave përmes raporteve të institucioneve ndërkombëtare. Raporti i fundit i Komisionit Europian, i mbështetur unanimisht nga Vendet Anëtare, i dha Shqipërisë rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Asnjë fjalë nuk i tha Lulzim Basha Partive Popullore në Maltë për reformën në drejtësi, anipse të gjithë kemi lexuar qëndrimin e bashkërenduar e të qartë të SHBA-ve, BE-së e madje të partive simotra europiane për PD-në: 1. Zbatim të menjëhershëm të ligjit të vettingut; 2. Rikthim në Kuvend; 3. Përmbyllje të reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it.
Ky do të ishte kontributi për një Shqipëri që shkon në mënyrë të sigurt drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim në BE, që do të thotë më shumë siguri, mirëqenie dhe progres për shqiptarët.
Keqardhje për një parti që veç emrin ka demokratike, por që nuk ka më ambicie të konkurrojë në mënyrë demokratike.
(E.K/SHUPLAKA)
