Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD, mbajtur ditën e sotme te ‘Asllan Rusi’ ka mbledhur bashkë mijëra demokratë, por nga ana tjetër ka krijuar një përçarje të opinionit publik lidhur me pritshmëritë dhe pjesëmarrjen e saj.
Në listën e vendimeve të miratuara ka qenë edhe ai se Lulzim Basha përveç se kreu i PD, është njëkohësisht edhe kreu i grupit parlamentar.
Sipas ndryshimit të ri, në periudhën që PD është parti opozitare, kryetari i Partisë, në këtë rast Lulzim Basha, do të jetë njëherësh edhe kryetar i Grupit Parlamentar.
Për të diskutuar rreth këtyre ndryshimeve i ftuar në studion e ‘FaxNews’ ishte gazetari dhe analisti Agim Baçi.
Gjatë intervistës me gazetaren Jonida Omeri, Baçi fillimisht u ndal të analizonte situatën në të cilën ndodhet sot PD, dhe si është pritur Kuvendi sot nga pjesa tjetër e saj.
“Sot gjendemi në një situatë ku brenda opozitës kemi tre parti demokratike. Kemi atë që mbajti sot Kuvendin, Rithemelimin e zotit Berisha si edhe grupimi i Gazment Bardhit, të cilët edhe pse janë ftuar për bashkëpunim nga zoti Berisha, ende nuk kemi një qëndrim zyrtar. Ende nuk dimë se ku janë këto negociata, madje u duk sikur zoti Berisha shfrytëzoi mundësinë një ditë para Kuvendit për të dhënë këtë lajm. Me aq sa i kam ndjekur zhvillimet ve këtij grupimi, tregon që nuk janë duke u bashkuar me Rithemelimin”, u shpreh ai.
Më tej, analisti u ndal të komentonte edhe ndryshimet e Statutit të miratuara sot, ku Basha merr pozicionin si Kryetar i Grupit përveç se atë të kreut të partisë.
Baçi theksoi se ky vendim do i japi më shumë fuqi Bashës të jetë i pranishëm në debate politike si edhe një pozitë më të forcuar kundrejt mazhorancës.
“A i bën debatet më të forta për mazhorancën kryeministri, atëherë duhet të ketë përball një rival për ta bërë këtë gjë. Zoti Berisha e ka pasur formal rolin e kreut të grupit parlamentar pasi debatet si në Kuvend ashtu edhe në Parlament i bënte vetë. Berisha e ka pas formal kryetarin e grupit parlamentar. Kryetar i grupit s’ka qenë as Bamir Topi as Astit Patozi. Peshën politike duhet ta mbajë ai që kërkon të zëvendësojë kryeministrin. Basha nuk ka pse t’ia ngarkojë këtë dikujt tjetër, çka do të thotë se ai nuk do të mungojë me në seancat parlamentare por do të jetë aty për të debatuar”, shtoi ai.
Më tej ai u ndal edhe në deklaratën e fundit të zotit Berisha ku tha se ka komunikim me grupin e Bradhit për bashkim, teksa e konsideroi qesharake tentativën e tij të re joshës për të tërhequr edhe njëherë pas vetes anëtarë të lartë të PD.
“Joshja e Berishës me negociata dhe bashkëpunime e kanë sjellë opozitën në këtë rast. Askush nuk mohon faktin se zgjedhjet ishin të manipuluara, por për çfarë i duhet demokratëve Berisha duke u nisur edhe nga rezultati i zgjedhjeve.
Në qoftë se vazhdojmë të duartrokasim një politikë kaq të ulët, atëherë cilat janë arsyet që duhet ta mbajmë atë në politikë. Në cilin vend tjetër të botës kemi dëgjuar që ndodh një gjë e tillë, askund”, përfundoi Baçi.