Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është larguar nga Pallati i Kongreseve, ku ndodhen David McAllister, Knut Fleckenstein, Rama-Meta e ambasadorët Lu e Vlahutin.
Në një deklaratë të shkurtër jashtë Pallatit të Kongreseve, Basha tha:
“Nuk kanë nisur ende negociatat. Nuk ka teknicienë. Erdha këtu për të vazhduar procesin e bisedimeve. U largova se mbarova punë”.
Sakaq, nga Partia Demokratike mësohet se opozita është e vendosur në kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
David McAllister dhe Knut Fleckenestein po zhvillojnë të tjera takime me Kryeministrin Rama, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kreun e LSI dhe Kuvendit Meta në kuadër të zgjidhjes së ngërçit politik.
Takimet po zhvillohen në Pallatin e Kongreseve dhe kanë nisur që nga ora 19:00.
Në takimet që po zhvillohen po marrin pjesë edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë Donald Lu dhe ambasadorja e BE Romana Vlahutin.
Ky do të jetë raundi i dytë i takimeve. Eurodeputetët dëgjuan në takimet e paradites sot pretendimet e të dyja palëve politike shqiptare për krizën politike dhe institucionale ku është vendi prej kohësh.
Më herët dy negociatorët janë takuar me Ramën, Metën në Kryesinë e Kuvendit dhe me kryeopozitarin Basha në selinë blu. (M.D/ Shuplaka)