Kryetari i opozitës Lulzim Basha duke folur nga ‘’Sheshi Demokracia’’ në ‘’Qytetin Studenti’’ në 8 Dhjetorin e Rinisë, vlerësoi rolin e padiskutueshëm të rinisë në demokratizimin e vendit. Ai u shpreh se në vitet ’90 në protestat e dhjetorit rinia e vrau frikën me forcën e idesë, vlerën e lirisë dhe liria u hap si një mundësi për të gjithë shqiptarët.
‘’Çfarë mësimi më të madh se ky mund të japë rinia, sesa forca e tyre që ngrihet dhe lufton për liri’’, ka thënë Basha.
‘’Sot pas 26 vitesh Liria, Europa dhe demokracia ngelen aspirate të paplotësuara’’, ka vazhduar ai.
Basha gjithashtu është ndalur për të reflektuar për disa gabime se pse sipas tij ne vazhdojmë të jemi të fundit dhe pse nuk jemi zotër të fateve tona.
‘’Demokraci sa fjalë e bukur, sot nuk kemi demokraci. Kemi autokraci, pushtet i pakufizuar në një grusht njerëzish, kjo qeveri ka zëvendësuar ekonominë e tregut me bizneset klienteliste, nuk ka më media të lirë por ka media të varura nga qeveria, të një Shqipërie që pasuritë nuk janë të të gjithëve njerëzve po janë të një grupi njerëzish . Shohim sesi studentët ekselentë nuk shkëlqejnë pasi avantazhohen njerëzit pranë grupi të pushtetarëve. Një ekonomi kombëtare e rrënuar nga konkurrenca, doganierët kanë mbytur ëndrrën e një ekonomie të lirë’’, ka thënë ai ndër të tjera.
Ai iu ka bërë thirrje të rinjve demokratë dhe jo vetëm që të ngihen dhe të luftojnë për lirinë.
”Ne rinia shqiptare nuk e pranojmë autokracinë, nuk pranojmë zhvatjen e pasurive, nuk pranojmë bllokimin e ekonomisë. Unë jam i bindur se rinia sot nuk u ngrit vetëm përballë disa figurave të korruptuara, po iu dhatë shenjën që rinia shqiptare ka vendosur të ngrihet përsëri përballë frikës, duke zgjedhur lirinë. Liria fillon nga shtëpija jonë, për të ngritur zërin dhe për të ofruar zgjedhje. Ka një Shqipëri të ndarë në dy botë ajo e kokordilëve që marrin gjithçka dhe ajo e shqiptarëve të thjeshtë që vuajnë të rrënuar ekonomikisht’’, ka vijuar kryetari i opozitës.
”Asgjë nuk do të na bjerë nga qielli po nuk e ndryshuam ne. Nuk dua të zgjatem në këtë bashkëbisedim se jam i sigurtë që ju keni për të thënë mendimet tuaja. Unë pres nga secili nga ju që të mos largohen por të qëndrojnë, të përballen dhe luftojnë. Shqipëria është e juaja e askujt tjetër! Së bashku jam i sigurtë se shkëndija e shpresës që ndezni sot nga ky shesh do të kthehet në një zjarr të madh besimi që do përvëlojë kastën dhe do u kthehen të drejtat që u janë mohura: të drejtën e punës, pronës, votës. Të gjithë ata që na kanë ndihmuar në këto vite tranzicioni më dhanë mesazhin që presin nga rinia shqiptare që presin një ndryshim rrënjësor. Gëzuar 8 dhjetorin! Zoti e bekoftë rininë shqiptare!”, ka përfunduar ai.