Kreu i opozitës Lulzim Basha ka bërë një mbledhje me aleatët e Partisë Demokratike. Ky takim ka ardhur fill pas takimit të Bashës me ambasadorin e SHBA-së, Donald Lu-në.
“Në tryezën e sotme Koalicioni Opozitar vendosi ngritjen e Kuvendeve Qytetare Për Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme anembanë Shqipërisë, me përfaqësues të spikatur të komunitetit dhe të gjithë grupeve të interesit, si pjesë e Lëvizjes Popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Koalicioni Opozitar ritaheksoi vendimin e marrë nga bashkimi popullor i 18 shkurtit se vetëm një qeveri teknike që do të zbatojë plotësisht dekriminalizimin, dhe do të angazhohet në luftën ndaj drogës, krimit dhe parave të paligjshme kriminale, mund të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, thuhet në njoftimin e PD-së.
Më tej në të thuhet: Koalicioni Opozitar shpreh vendosmërinë për të mos lejuar asnjë proces zgjedhor të manipuluar nga krimi në pushtet dhe paratë e drogës, dhe për të vazhduar deri në fitore betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme si interes jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Gjatë takimit të aleatëve është vendosur që asnjë parti të mos regjistrohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe mos të hyjnë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit, nëse nuk dorëhiqet kryeministri Rama. (J.V/Shuplaka)