Një ditë më parë në Shkodër u zhvillua përballja e parë mes Lulzim Bashës dhe Eduard Selamit. Nga zyrat e PR-it të Partisë Demokratike sot pamë për herë të parë fotot e dy kandidatëve për kryetar të cilët qëndronin sëbashku përballë demokratëve në sallë.
Kujtojmë se gjatë fjalës së tij Basha theksoi deformimin e vullnetit të qytetarëve me 25 qershor nga paratë e bandave të drogës dhe makineria shtetërore, dhe u shpreh se PD është sot e vetmja bartëse e vlerave dhe e moralit e nuk do të bëjë kurrë pakt me krimin.
Ndërsa nga ana tjetër, Eduard Selami vuri në dukej se nëse duam edhe njëherë ti kthehemi momenteve, ditëve më të mira, ne duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike siç nuk kemi funskionuar, ti kthehemi qendrës tonë, filozofisë tonë të djathtë, të hapim një dialog jo vetëm brenda bazës tonë por, edhe me shoqërinë civile, thuhet në njoftimin e PD-së.
Kjo është hera e parë që shohim Selamin dhe Bashën në një podium, që kur nisi gara për kreun e ri të partisë, pas humbjes së 25 qershorit. Grupi i demokratëve kundër Bashës, deri më tani kanë deklaruar se nuk ka patur kurrë një përballje apo debat mes Selamit dhe Bashës, të cilët janë prezantuar më vete përpara demokratëve, mirëpo kjo foto tregon të kundërtën. Basha dhe Selami kanë nisur përballjen me njëri-tjetrin.
EDUARD SELAMI:
Unë jam nga ata që e shoh problemin tek vetja, se kundërshtari këtë punë ka. Jo vetëm kaq por edhe avantazhet që ka kundërshtari. Ne duhet të ulemi dhe të shohim se si duhet t’ia heqim nga dora. Se nëqoftëse ne mendojmë që shitblerja e votës, qe arsyeja kryesore e humbjes, mendoni ju se kjo në zgjedhjet e ardhshme do të bjerë?! Jo. Diskutimi dhe debati ynë duhet të bëhet se si ta shmangim këtë problem. Në këtë pikë unë mendoj që ne duhet të bëjmë një analizë serioze.
Po nuk pyete strukturat, po nuk pyete degën, po nuk pyete demokratët, po nuk pyete qytetarët, ti mund të kërkosh votën por nuk merr gjë mbrapa. Zhgënjimi im më i madh ka qenë me modelin Basha që kam mbështetur, që Partia Demokratike ka qënë më pak demokratike, edhe në momentin që e mori, me atë që e la z.Basha. Nëse duam edhe njëherë ti rikthehemi momenteve, ditëve më të mira, ne duhet të funksionojnë në mënyrë demokratike siç nuk kemi funksionuar.
Ne krizë emrash dhe liderësh në Partinë Demokratike sepse ne jemi mbyllur. Kemi pushuar së funksionari si parti demokratike. Jemi bërë vetëm partia e kryetarit. Jemi kthyer në atë kohën e vjetër të Partisë së Punës që po të ikë ky, duket sikur gjithçka merr fund. Jo.
Me këtë platformë, unë mendoj se kemi për tu ringritur më të fortë akoma. Nuk është e gjitha por është më e rëndësishmja. Do ti rikthehemi edhe vlerave tona. Do ti kthehemi qendrës tonë, filozofisë tonë të djathtë. Do të hapim një dialog jo vetëm brenda bazës tonë por, edhe me shoqërinë civile. Edhe me rininë, e cila fatkeqësisht na ka braktisur. Hajde të hapim një debat të gjerë që t’u japim shpresë shqiptarëve.
LULZIM BASHA:
Ka katër vite që jemi në betejë të përditshme me një pushtet të bërë njësh me krimin, me një pushtet të ardhur përmes krimit e që sundon bashkë me krimin. Nga dekriminalizimi, tek beteja kundër drogës që është një projekt i pastër politik i Edi Ramës, për të fshehur dështimin e tij ekonomik dhe për të përgatitur tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve, e deri tek beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, kauzat tona janë provuar jo vetëm si kauza të drejta e të rëndësishme, por më jetiket sot për Shkodrën e për mbarë Shqipërinë.
25 qershori e provoi këtë katërcipërisht. Si në kohët e Sigurimit të Shtetit, shqiptarët u skeduan familje për familje. Kësaj radhe jo për t’i futur në burg për mendimin e tyre politik, po për t’i përndjekur për votën e tyre; diku listat për ndihmën ekonomike, diku listat për subvencionet, diku listat për legalizimin, diku pagesën apo shtrëngimin e gjobave të OSHEE-së apo të subvencioneve, diku paratë në dorë. Qindra milionë euro të drogës që derdhet lumë edhe sot. Ne e pamë këtë fare mirë, kudo ku ndodheshim në fushatë, ku me plan, me shtrirje kapilare; e para Partia Socialiste, derdhën miliona të shoqëruara nga bandat kriminale për të kapur vullnetin e votuesve.
Në Tiranë, vetëm për të mos dalë në votime, plani ka qenë 5 deri 15 familje opozitare për qendër votimi, pagesa 200 mijë lekë për familjar, jo për votues. E kjo është shtrirë anembanë vendit në përmasa dhe forma të ndryshme, por me një synim; me para, me dhunë, me terror, për të tjetërsuar vullnetin e qytetarëve. Ndaj njësoj si në ’91, këto zgjedhje nuk reflektojnë vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë.
E vetmja forcë politike e cila refuzoi paktin me krimin, që u ofrua, na u ofrua këtu në Shkodër, siç na u ofrua në Vlorë dhe në Durrës e Peqin, por e kemi thënë që; nuk bëjmë e nuk do të bëjmë pakt me krimin për të ardhur në pushtet. Sepse ne jemi vlerat dhe ata janë antivlerat dhe kjo është bardh e zi si asnjëherë në historinë njerëzore, kjo është bardh e zi, nuk ka gri këtu në mes, nuk ka gri. Dhe kjo është një betejë që duhet dhe do të vazhdojë deri në fitore”. (D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2442″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]