Nga Agron Gjekmarkaj:
Protesta e 18 shkurtit i shndërroi pandehmat në fakt. Në shoqërinë shqiptare ekziston një frikë reale për manipulimin e zgjedhjeve politike të qershorit. Tashmë ajo nuk është vetëm një çështje e opozitës. Tubimi i pazakontë, nëse kemi parasysh pjesë- marrjen e madhe në të, institucionalizoi krizën e thellë të besimit dhe të pakënaqë- sisë. Shumë teza të hazërta, produkt i analizës politike në shërbim të Kryeministrit, papritmas u vjetruan dhe përfunduan në kosh. Propaganda dhe fakti u ndeshën si demat atë ditë. E para theu dhëmbët dhe çkati gjuhën. Duke u çapitur rendi të fashohej në zyrën zulmëmadhe të shtypit. I dyti nuk pranoi të largohej më prej aty. Ngriti çadrën dhe u strehua poshtë saj, për të bërë llogaritë me Kryeministrin.
Jo pak herë, nga sponsorizimet e pushtetit kemi dëgjuar se Lulzim Basha “nuk frymë- zon”, por ai të shtunën u bë zot i “turmës”! Ajo kërkon shpresë dhe e hipotekoi atë te Basha. Barrë shumë e rëndë. Qytetarët iu përgjigjën në mënyrë befasuese thirrjes së tij “për të marrë së bashku një vendim të madh”, nëpërmjet një diskuri mbresëlënës! Ata i dhanë mbështetje për një kauzë që i tejkalon partitë dhe programet. Ata pranuan t’i udhëheqë në një betejë jetike, e cila ka të bëjë me thelbin e demokracisë, me të qenët fasadë apo funksionale! Një lëvizje që në dukje krijon krizë, por veç në dukje. Mosikja nga kjo kauzë do t’i jepte fund tranzicionit kaq të gjatë te ne dhe do të nxjerrë vendin nga dara e krizave.
Nga zgjidhjet e lira dhe të ndershme do të forcohej legjitimiteti i çdo qeverie dhe reformave të saj. Kontestimi komprometon gjithç- ka. Me këtë mbështetje që mori Lulzim Basha, krahas frontit të ri që hapi, ku qëndrueshmërinë e ka jetike si të gjithë ata që i hyjnë një rruge të vështirë, është i ftuar për një reflektim, për një katarsis brenda vetës, brenda forcës që drejton për të ecur vetëm mbi hartën e së vërtetës. Çdo rrugë tjetër për të patur sukses është fantazi letrare. Karta morale dhe ndryshimi radikal duhet t’i shënjojnë trajektoren. Si do ta bëjë këtë betejë, me cilët njerëz? Këto pyetje do të shtohen. Nuk do t’ia bëjnë vetëm sfiduesit, por edhe mbështetësit që do t’ia drejtojnë gjithnjë e më shpesh. Revolucionet etike nuk janë fëmijë të statuskuosë. Establishmenti është transversal, ndaj duhet tronditur gjithandej. Në skenografinë e protestës vihej re kujdesi që të flisnin njerëz pa profil publik, qytetarë që rrëfenin jetën e tyre. Ata flisnin më mirë, më qartë dhe më bindshëm seç flasin politikanët, përfshi edhe ata të opozitës. PD ka shumë kualitete njerëzore e politike, të cilat nuk karakterizohen nga zelli i ekspozimit, por u vu re në atë eveniment një rendje për t’u ngjeshur pas Bashës dhe Berishës nga disa, të cilët i japin kënaqësi të madhe publikut kur fshihen.
E gëzojnë atë (publikun) me heshtjen e tyre. E fyejnë kur lëshojnë kumte ndershmë- rie. Ndonjë zonjë gazmore nuk e humbi rastin për të ekspozuar takat dhe krehjen e suksesshme që i ka bërë parukierja si kontribut për zgjedhje të lira. Të gjitha këto janë detaje të vogla në dekorin e asaj dite krejt të veçantë dhe, mbi të gjitha, në raport me qëllimin e saj, por jo më në ditët që vijojnë.
Çdo lider politik do ta ëndërronte mundësinë për t’i folur një mase kaq të dendur njerëzish! Do ta ëndërronin këtë në Paris e Berlin, e jo më në një vend me popullsi kaq të vogël, sa kjo e jona. Një gjë e tillë duhet ta ketë befasuar Bashën, por shumë më tepër Edi Ramën, i cili ende nuk po e merr veten. Reagimet e tij të fundit janë fryt i panikut, si dëshmi e mungesës së strategjisë për një ngjarje të tillë. Nuk e besonte se faturën e qeverisjes do t’ia sillnin poshtë dritares. Frikën se do jua marrë votën pa faleminderit me trimosha ia lanë gjithashtu te pragu. Edi Rama nuk ka qeverisur keq, ka qeverisur poshtërsisht. Arroganca është fytyra e kësaj qeverie, ndërsa korrupsioni, krimi dhe droga janë aktet. Nëse njerëzit do të kishin garanci se do të mjaftonte vota kundra, nuk do të dyndeshin nga ana e anës për ta sfiduar shefin e “Rilindjes”! Ata besojnë se Ati i Rilindjes do t’i prishë zgjedhjet për të mbetur në pushtet. Edi Rama ka kriminalizuar politikën qendrore e lokale me përzgjedhjet e tij selektive për ta ushtruar autoritetin e vet pa ligjin nëpër këmbë.
Më pas, falë trysnisë së opozitës dhe asaj ndërkombëtare, formalisht pranoi ligjin e “dekriminalizimit”, të cilin nuk e zbatoi asnjë ditë duke u vetëpaditur së dyti para opinionit publik. Pas reformës territoriale, ku premtoi se do të ishin pikërisht qytetarët që do ta merrnin territorin në zotërim, ai lejoi që atë ta merrnin kartelet e drogës, duke e shndërruar vendin në prodhuesin më të madh të saj në Europë.
Në këto kushte, Opozita, së cilës Rama i ka mbyllur çdo shteg komunikimi, e sheh vetën nën riskun e të konkurruarit me banditë dhe jo me kundërshtarë, ndaj zgjodhi sfidën për të shkuar në zgjedhje pa Edi Ramën Kryeministër. Sfida e parë e këtij lloji gjatë 26 viteve pluralizëm. Njerëzit e shumtë që 18 shkurti mblodhi u larguan dhe lanë para Kryeministrisë një çadër, e cila gumëzhin çdo ditë nga qindra vetë. Aty po dëshmohet se çfarë ndodh kudo në Shqipëri, por edhe artikulohet se si e duam Shqipërinë e paszgjedhjeve. Ata, protestuesit, me siguri do të kthehen, ndoshta edhe më të shumtë, por çadra do të mbetet, teksa ata vijnë e ikin.
Aty opozita duhet të tejkalojë vetveten dhe t’i hapë dyert për të gjithë. Brenda saj mund të konsultojë programin dhe të prezantojë zbatuesit e tij, njerëzit, ekipin. Ajo çadër duhet vizituar, duhet inkurajuar, sepse po tenton të ndalojë shiun dhe breshrin që do të shkatërrojnë zgjedhjet e 18 qershorit. Një ditë nuk është çudi që të zërë vend në muze, si objekt me rëndësi historike, teksa sot tremb dhe fut në ankth Edi Ramën, i cili ka gjasa të kujtohet si burri që u mund nga një çadër.