Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me mjetin që goditi makinën e Policisë në Elbasan. Sipas tij mjeti drejtohej nga dhëndri i Qazim Sejdinit. Basha thekson se Vettingu duhet të nis nga kryeministri.
“Kur krimi i veshur me pushtet dhunon vete policine, vetingu duhet te nise nga kryeministri, ministri i brendshem e kryebashkiaket te bere njesh me bandat:
“Kryetar mirmbrema. Sot ne Elbasan dhendri i Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktari me Suel Celen me makine te blinduar kane goditur makinen e zv.drejtorit te policise Elbasan. Kjo pasi nje pike kontrolli ka kontrolluar disa ushtare te tyre”, thuhet në reagimin e kreut të PD-së Lulzim Basha.
Ç’NDODHI DJE NË ELBASAN:
Në kuadër të zbatimit të Operacionit “Summer 2017 Elbasani” me qëllim bllokimin e automjeteve motorike të trafikuara, efektivat e policisë së Elbasanit kanë kryer kontrolle në lagjen “Dyli Haxhire”, aty ku kanë ndalur një mjet luksoz me targa AA 040 OJ me një vlerë rreth 100.000 Euro.
Në momentin që i kanë iu kërkua drejtuesit të tyre të shoqërohej për verifikim dokumentacioni ka ndodhur një përplasje.
Policia bën me dije se “Në momentin që mjeti po shoqërohej nga grupi Shqiponjat dhe nga një Patrullë Policie, një mjet tip “Audi” vjen me shpejtësi dhe godet mjetin e Policisë me targa MB 002 AA”
Më pas, raportohet se mjeti në fjalë të jetë futur në Tregun Ushqimor. Blutë e Elbasanit dyshojnë se bëhej fjalë për një mjet të blinduar.
Ndonëse nuk kanë mundur të arrestojnë drejtuesin e tij, policia thotë se ka shoqëruar disa persona që kanë qenë në ambientet e Tregut.
Në kuadër të këtij operacioni, policia e Elbasanit ka bllokuar deri më tani 4 automjete superluksoze dhe ka shoqëruar disa persona.
(E.K/SHUPLAKA)