Në datën 29 korrik, në krye të Partisë Demokratike, erdhi Lulzim Basha. Basha është zgjedhur Kryetar i Partisë Demokratike, me 16196 vota, përballë Gjegji Hanit me 1567 vota.
Përpara kësaj fitore, ai zhvilloi disa takime, me demokratë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria, ku shpalosi dhe platformën e tij për të zgjidhur ngërçin si në PD ashtu dhe në politikën e përgjithshme.
Namir Lapardhaja, në një intervistë për FaxNews, është shprehur pikërisht për këtë, që Basha, ka nevojë të fitojë besimin e qytetarëve shqiptarë përtej atyre demokratë, nëse do të arrijë rotacionin politik.
Për gazetarin Albi Rakip, Lapardhaja ka thënë që në këtë kohë krize që Shqipëria është duke jetuar, çështja nuk është tek individi, por te mendësia e të bërit politik.
Analisti sugjeron ndryshime rrënjësore, të cilat janë të domosdoshme.
Sa për ndarjet brenda PD-së, Lapardhaja nuk i pranon 3 palë, por shprehet që është vetëm Berisha i cili sipas tij, dëshiron të mbajë peng PD-në dhe nga ana tjetër, PD me në krye Lulzim Bashën, Kryesinë e të tjerë.
Sakaq, për deputetët e Grupit Parlamentar, analisti është shprehur se nuk kanë ndonjë peshë të madhe, sepse janë faktorë të tjerë, që marrin vendimet për partinë.
Namir Lapardhaja: Përtej demokratëve, Lulzim Basha ka nevojë ta besojnë qytetarët shqiptarë. Është e nevojshme të shndërrohet në një politikan që të marrë votëbesimin e shumicës shqiptare për të arritur atje ku synon dhe ku vendi ka nevojë, rotacion politik.
Përtej PD-së, Basha e ka sfidën me opinionin publik dhe shqiptarët. Në këtë kuptim i duhet një punë e madhe, që të rregullojë atë lloj imazhi të goditur nga shumë anë, që në shumicën e rasteve ka ardhur me pa të drejtë.
Në gjykimin tim, çështja këtë herë nuk duhet lidhur me emra individësh, aq më tepër në kushtet kur Shqipëria është në një krizë të madhe politike. Përgjimet e fundit që po dalin, tregojnë që ky sistem është kalbëzuar në të gjithë hallkat e tij. Vetë shoqëria shqiptare ka nevojë për një ndryshime rrënjësore, në filozofinë e të bërit politik.
Nëse Basha do t’i përgjigjet kësaj nevoje atëherë po mund t’ia dalë. Nëse do përsërisë gabimet e së shkuarës, të jetë peng i saj, atëherë do të dështojë si më parë, kur ka qenë peng i disa njerëzve, prej të cilëve është shkëputur.
Nuk kemi tre grupime në PD, por kemi zoti Berishën që ka marrë peng PD-në dhe një grup deputetësh, që nuk do doja të besoja që janë shitur por që mendojnë ndryshe nga Kryesia. Asnjëherë grupi i deputetëve, nuk ka udhëhequr.
Ata janë në ato vende si pasojë e strukturave të PD-së. I binden jetës së partisë. Është Kryesia, Këshilli Kombëtar, Anëtarësia, që vendosin. E shoh si problem dy-polësh. Z.Berisha ka një peshë specifike, për shkak të historisë së tij.
Ndërsa ata deputetë (GP), nuk i shoh si problem. Ata do të ishin përballë me z.Basha, përkundrazi, ka qenë mungesa e tyre, një terren i lirë, që ka rikthyer z.Basha.