Kreu i Partisë demokratike, Lulzim Basha i është bashkuar protestës së banorëve të Astirit nga ku deklaroi se beteja e këtyre të fundit, është modeli i qytetarëve të bashkuar kundër bandës së hajdutëve që sipas tij qeverisin vendin.
Ai theksoi se, Unaza e Re është frymëzim për betejën e opozitës për rrëzimin e Edi Ramës, të cilin e quajti hajdutin më të madh që ka njohur vendi në tre dekadat e fundit.
“Nuk ka forcë t’ju mposhtë, dhe kështu ia keni dalë ta ndalni të keqen. Kjo është një meritë e qëndresës tuaj që kurrë nuk u përkulët përpara dhunës nëpër shtëpitë tuaja, dhunës në komisariate, poshtërimit me gazin lotsjellës. Keni zhvilluar betejën më të madhe dhe të gjatë për demokracinë e vendit tuaj. Qëndresa juaj ndezi një dritë shprese kundër të keqes. Dua ta them fare qartë se, për ndaljen e të keqes sot nuk mjafton vetëm rezistenca juaj.
Dua ti drejtohem përmes kamerave të gjithë qytetarëve që na ndjekin, përmes kamarave që pronarët e tyre nuk janë vjedhësit e bukës së gojës. Doni të hapni kantierin e parave të pista për devijimin e Lanës për Taulant jarisin. Ky kriminalitet shtetëror është një kancer dhe prova më e qartë se kjo nuk mjafton është sot ku dy kilometra prej këtej, u mblodhën si në një furrik të pandehurit kryesorë të Unazës së Re. Aty shpallën kapjen e pushtetit të krimit me kandidatë kriminelë e përdhunues, me trafikantë e të dënuar”, deklaroi Basha ndër të tjera.
Basha foli edhe për aferën korruptive për të cilën flitet se po bëhet në ndërtimin e segmentit rrugor Milot-Balldre, ku tha se kërkojnë të vjedhin miliona euro.
“30 milion donin të vidhnin këtu. 300 milionë duan të vjedhin me rrugën Milot-Balldren, me rrugën e Orikumit, me të njejtën skemë si tek unaza e re. 300 milion euro, paratë e xhepave tuaja, të kërdisur nga taksat e shtuara, të kërdisur nga faturat e kripura të energjisë elektrike, të kërdisur nga nafta më e shtrenjtë në Europë, të popullit më të plaçkitur të Europës, nga një grusht injorantësh dhe hajdutësh, politikanët më të korruptuar, më kriminelë dhe më të pasuruar në kurriz të popullit dhe që përfaqësohen sot nga Edi Rama, Uria Heep-i i bashkisë së Tiranës dhe Taulant Yaris.
Kjo është prova më e qartë, se që ta ndalim të keqen nuk mjafton. Që shtëpitë tuaja të jenë njëherë e mirë të sigurta dhe këta vogëlushë të shkojnë në shkollë (tregon me dorë fëmijët që protestojnë tek Unaza e re) të pa traumatizuar nga lotët e prindërve të tyre, që paratë e prindërve shqiptarë, paratë e taksapaguesve shqiptarë, paratë e bukës së gojës së fëmijëve shqiptarë, mos të vidhen më në afera të tilla të tmerrshme që si ka parë e si ka dëgjuar në 30 vjet, Europa, nuk mjafton të ndalim të keqen. Njësoj si nuk mjafton të ndalim kancerin!
E keqja duhet shkelur me rrënjë!
Ndaj, që kjo betejë të shkojë deri në fund, ka vetem dhe vetëm një rrugë, ta shkulim të keqen me rrënjë.
Largimi i Edi Ramës, një qeveri tranzitore që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, një parlament, që përfaqëson hallet, problemet, dëshirat dhe aspiratat e tyre, si kudo në Europë, janë produkt i panegociushëm i rezistencës opozitare dhe i bashkimit popullor që do ta çojë betejën deri në fund”, tha kryedemokrati.
(F.GJ/FAXWEB.AL)