Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndryshon strategji me aleatët. Ai nuk e shikon si zgjidhjen e duhur, përfshirjen në listë të krerëvë të partive kryesore aleate, siç bënte më parë ish-kryeministri Berisha.
Është pikërish nënkryetari demokrat Edmond Spaho, i cili tregon se në zgjedhjet e 18 qershorit asnjë aleat nuk do të dalë deputet prej listave të partisë.
I pyetur nëse ka patur kërkesë nga aleatët për t’u bërë pjesë e listave, Spaho e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.
“Jo, jo, jo, asnjë kërkesë të kësaj natyre. Dhe nuk ka për të pasur individë nga partitë e tjera, qofshin këta edhe kryetarë, që të jenë në listat e PD. Eksperienca e zgjedhjeve të vitit 2013 tregoi që nuk ishte ndoshta më e mira”, tregon nënkryetari.
Në zgjedhjet e kaluara, ish-kryetari i Partisë Demokratike i përfshiu kryetarët e partive aleate, si pjesë e listave të kandidatëve për deputet. Por largimi i Shpëtim Idrizit, më vonë edhe i Nard Ndokës, provoi që kjo metodë nuk ishte e suksesshme, kështu që kryetari i ri ka vendosur ta korrigjojë atë.
Sakaq, nënkryetari Spaho i përgjigjet edhe OSBE/OHDIR në lishje me afatin për përdorimin e elektronikës në zgjedhje.
“Kërkesa për votim elektronik është detyrim ligjor. Është në mandatin e OSBE të jetë garant i procesit dhe jo kronometri i datës së zgjedhjeve, kështu që në këtë kuptim është në detyrën dhe përgjegjësinë e OSBE që ka 25 vite në Shqipëri që kryen reforma, që të garantojë një proces të lirë dhe të ndershëm. Ne nuk do hyjmë për të qenë fasadë në zgjedhje, apo për t’i dhenë legjitimitet zgjedhjeve të vjedhura. Nuk do lejojmë që këto zgjedhje të vidhen dhe për këtë qëllim do përdorim çdo mjet që na lejon demokracia, pasi është vullneti i qytetarëve shqiptarë që të kenë një proces zgjedhor të besueshëm si në të gjithë vendet e tjera”, thotë Spaho. (D.D/Shuplaka)