Kreu i PD-së Lulzim Basha gjatë vizitës që ka pasur paraditen e sotme në Kukës, ka premtuar se vendimi i parë i tij si kryeministër, është që do të heqë tarifën e ‘Rrugës së Kombit’.
Kjo nuk është hera e parë që Basha e artikulon heqjen e taksës, edhe pse refuzon që të japë detaje, lidhur me kostot që do të kishte prishja e marrëveshjeve me kompanitë kontraktore, të lidhura nga qeveria e Edi Ramës.
Basha ka ngritur me të rinjtë e Kukësit dhe shqetësimin për largimet e shumta të të rinjve jashtë vendit, ku tha më tej se rimëkëmbja e ekonomisë do ti jepte fund këtij fenomeni.
“Ditën e parë qeveria jonë do të heqë taksen për Rrugën e Kombit. Varfëria po e bën Kukësin dhe Shqipërinë të pajetueshme për të gjithë qytetarët dhe pa shpresë për të rinjtë.
Do të ringrejmë ekonominë dhe do te zhdukim fenomenin e largimit të rinisë.
Zhvillimi i ekonomisë i jep zgjidhje njëherë e përgjithmone largimit të shqiptarëve”, është shprehur Basha nga Kukësi. Duke u ndalur dhe njëherë te premtimet kur do të vijë në pushtet, kujtojmë se pak ditë më parë kreu i opozitës tha se në ditët e parë të tij si kryeministër, ai do të firmosë për zhbërjen e ligjit për arsimin e lartë.
Mbetet për tu parë se kur do të jetë momenti i zgjedhjeve, e cili do të jetë vendimi i qytetarëve, në mënyrë që të testohen këto dy premtime të ditës së parë të Bashës si kryeministër.
Basha befasohet nga reagimet në ‘Instagram’: Kjo është pika e parë në programin e PD-së
(E.K/Faxweb.al)