Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një takim me përfaqësues të shoqatës së biznesit të vogël u ka bërë thirrje të kundërshtojnë forcërisht vendosjen e TVSH-së, e cila rrezikon t’i çojë drejt falimentimit të sigurt.
Gjatë fjalës së tij në takim me biznesmenët, Basha, tha se arsyeja e vendosjes së kësaj takse është se Rama kërkon t’i japë konçensionin, vëllait të tij.
“Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së do të rrisë koston dhe falimentimin për biznesin e vogël. Rritja e çmimeve të konsumit do të çojë në uljen e konsumit.
Pse bëhet e gjitha kjo? Këtu ka një element politik që i bashkon këto akte kriminale: rritja e TVSH, taksa e Rrugës së Kombit, shembja e Teatrit. Qëllimi është shuarja e zërave të pavarur. Kryeministri do ta çojë të gjithë xhiron e biznesit tek një grup oligarkësh.
Njësoj dhe me Teatrin Kombëtar, nuk është thjesht urrejtja e një artisti të dështuar, por urrejtja për të shkatërruar e asgjësuar një zë kundër 200 artistëve të elitës së kombit.
Njesoj edhe me protestën në Rrugën e Kombit. Një kryeministër që kap protestuesit dhe që nuk godet një kupolë policie që është e gjitha në arrati. Kjo është e dyta e vërtetë e futjes së TVSH në biznesin është për t’i dhënë konçensionin vëllait të vogël.
Sa vjedh Arben Ahmetaj me koncesionin e incereatorëve…Me TVSH e biznesit të vogël planifikohet të futen në arkën e shteti 15 milionë USD më shumë kur vetëm Ahmetaj do të marrë nga arka e shtetit 25 milionë USD!
Kjo është e vërteta e TVSH: Grabitet shumica dhe i jepet pakicës. Kjo është qeveri që mendon vetëm për xhepat e një pakice.
Arsyet pse biznesi i vogël po futet në TVSH janë arsye korruptive: e para që të bëjë konçensionin e biznesit të vogël dhe t’ia japë vëllait të tij. Ndaj, sot nuk pret më kohë, fjalët nuk vlejnë më, duhet veprim, duhet qëndresë. I përshëndes ata që iu bashkuan uljes së qepenave në mbarë Shqipërinë.” – tha Basha.
Basha kërkoi që biznesi i vogël të protestojë dhe të mos ketë frikë, pasi askush nuk do të mundet t’i arrestojë:
“Do protestojmë pasi nuk na arrestojnë dot të gjithëve. Të vijnë të më arrestojnë mua të parin. Bizneset po shkojnë drejt falimentimit dhe ne kemi një plan konkret për biznesin.
Të ndalim rrokullisjen e ekonomisë dhe ne do jemi në krahun tuaj. Ne do vendosim taksën e sheshtë. Sot është 40% informaliteti sipas të dhënave zyrtare. Do ta çojmë në 12 milionë leke pragun e TVSH”– bëri thirrje Basha.
(E.L/Faxweb)