Protesta e opozitës ka hyrë sot në ditën e saj të 9-të. Ndërkohë që takimet në çadrën e demokratëve përpara kryeministrisë nuk kanë munguar asnjë ditë. Në fjalën e tij të sotme kreu i PD-së Basha ka thënë se Vettingu do të bëhet po vetëm një ditë pas shpalljes së qeverisë teknike.
Po ashtu Basha tha se kjo Republikë e krimit dhe drogës duhet të rrëzohet.
‘’Ramën nuk e do Veriu, nuk e do jugu, nuk e duan as ndërkombëtarët. Nga data 18 shkurt Rama nuk po gjen vend ku të futet. Që nesër ne do të ulemi që ti japim vendit Vettingut. Drejtësia e pakapur është makthi i Edi Ramës, i dridhen leqet e këmbës nga Vettingu i vërtetë. Vetting do të ketë një ditë pas qeverisë teknike.
Ose do të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, ose nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Ne nuk do t’i lejojmë. Ka ardhur koha që të përmbysim Republikën e drogës, Republikën e korrupsionit. Kjo nuk është një betejë për t’i dhënë pushtetin Lulzim Bashës, po është një lëvizje për t’i dhënë pushtet çdo shqiptari. Kjo është një lëvizje popullore, paqësore, po e vendosur deri në fund për të varrosur Republikën e krimit’’, ka thënë Basha. (E.K/SHUPLAKA)