Kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë sot në një takim me bizneset në zonën e Saukut në Tirtanë, ku ka paralajmëruar punonjësit e Tatimeve dhe të administratës të mos abuzojnë me sipërmarrësit, sidomos në këtë periudhë krize.
Sipas Bashës me ardhjen e PD-së në pushtet, ata do të ballafaqohen me abuzimet që kanë bërë dhe nuk do të vazhdojnë më asnjë ditë në detyrë. Në këtë aspekt, Basha i bëri thirrje biznesmenëve në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet një mesazhi me video, që të mbajnë shënim emrat e të gjithë zyrtarëve që u kërkojnë ryshfet.
“Problemi kryesor që njerëzit kanë është mungesa totale e mbështetjes dhe sjellja harbutërore e shtetit. Ndaj dua të përsëris ndaj çdo punonjësi të administratës të mos bëhet vegël e një pushteti në ikje. Përmes kësaj videoje, po iu komunikoj të gjithë sipërmarrësve në Shqipëri, siç ua kam komunikuar edhe gjatë takimeve të mia, të mbajnë shënim emrat e atyre që i terrorizojnë dhe abuzojnë me ligjin, sepse një nga zotimet e para dhe punët e para që do të bëjmë ne në qeverisje, do të jetë t’i ballafaqojmë një për një me abuzimet, me ligjin dhe nuk kanë për të zgjatur asnjë ditë, asnjë javë në detyrë ata që abuzojnë me ligjin;
ata që mbushin xhepat e tyre në këto ditë të fundit të këtij pushteti që vazhdon të mendojë edhe në këto ditë të mbushë xhepat e 4-5 oligarkëve ndërkohë që jep një mbështetje tërësisht të papërfillshme. Këtu në Farkë do të vazhdoj takimet dhe shpalosjen e vizionit tonë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e thellë”, tha Basha. (E.K/Faxweb.al)