Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka vizituar në spital kryeredaktorin e gazetës “Rilindja Demokratike” Bledi Kasmi i cili ka thënë se është dhunuar nga policia gjatë protestës.
“Rast flagrant i dhunës barbare. Ishte një protestë paqësore, dhuna e ushtruar ndaj Bledi Kasmit është tregues i mirë se si policia do të jetë në shërbim të vëllezërve Xhafaj. Kuksianët janë në burg, Bledi Kasmi në spital, ndërkohë që Agron Xhafaj u përcoll në Itali të shpëtonte lëkurën e tij. Kjo është arsyeja që Fatmir Xhafaj nuk mund të rrijë në krye të Ministrisë së Brendshme pasi çdo sekondë që ai të rrijë aty, qytetarët do të dhunohen. Largimi i Fatmir Xhafajt është emergjencë kombëtare.”-tha kreu i PD-së.
Vetë Kasmi tha para Bashës se ai po protestonte paqësisht por më pas policia e ka qëlluar në pabesi me shkopinj gome.
“Kanë qenë dy ose tre nga këta policët në mënyrë të pabesë, më kanë goditur, më goditën në fillim me shkop dy herë, por më pas një tjetër më ka goditur në kokë. Pata si ndjenjë të fikti, pastaj pas 10-15 minutave erdhi ambulanca. Kam dhjetë qepje në kokë. Por nuk është surprizë për derisa ministri vjen nga diktatura. Vokshi dhe Strazimiri më dha ndihmën e parë.”-u shpreh gazetari.
(F.G/Faxweb.al)