Në ditën e 38-të të protestës, kryetari i Partisë Demokratike u shpreh nga çadra lidhur me aferën e CEZ-it për të cilën siguroi se do t’i shkohet deri në fund. Ndër të tjera, ai theksoi se kjo protestë do të vazhdojë, duke e krahasuar atë me një luftë për jetë a vdekje.
“Qindra mijëra shqiptarë të lirë që festojnë sot ditën e 38 të protestës. Ora e sotme ka në qendër të vëmendjes problemin e energjisë elektrike. Rama e rriti cmimin e energjisë, në shpatullat dhe xhepat e qytetarëve shqiptarë. Goditi më fort ata në gjendjen më të dobët ekonomike. Nuk u mjaftua me rritjen e cmimit, por ishte një fushatë represioni, duke arrestuar, inkriminuar.
Afera me CEZ-in është afera më e madhe financiare në historinë e shtetit shqiptar. Komisioni hetimor u sabotua. E dëgjuat me fakte të Avokatit të Shqipërisë, e të të tjerëve se si dy mafia bashkëpunuan për të vjedhur popullin më të varfër të Tiranës.
Zhvatën nga xhepat e shqiptarëve qindra milionë euro. Detyrime të njohura. Fitime nuk pati kurrë, pasi paratë u ndanë mes mafias. E vërteta është edhe më e hidhur se kaq. Pakti për të zhvatuar 600 milionë euro u bë para se Edi Rama të vinte në pushtet. Ne do i shkojmë kësaj afere deri në fund, do bëjmë që gjithcka që përgjegjësit të dalin përpara drejtësisë.
Përmes drejtësisë së vërtetë që do i japë fund njëherë e mirë krimit dhe vjedhjes. Nuk do pranojmë kurrë një drejtësi të kapur nga Edi Rama. Le ta dëgjojnë miqtë dhe armiqtë tanë. Drejtësi në duart e Edi Ramës nuk ka për të pasur kurrë.
Pakti kushtetues i 22 korrikut është dhunuar në mënyrë të njëanshme nga hajduti i shtetit, nga njeriu që klanet i ka përfaqësuar në qeveri. Edi Rama, narkomafia shqiptare, mediat e blera me paratë e drogës i kanë shpallur luftë popullit shqiptar.
Këtu ne shpalosim Shqipërinë e vërtetë, për t’i kujtuar shqiptarëve se kjo që po zhvillojmë është jo më pak se një luftë për jetë a vdekje për Shqipërinë europiane, demokratike. Në këtë luftë ka vetëm dy rrugë, rruga e parë ajo që dëshirojnë kundërshtarët, që të tërhiqemi e të pranojmë si fakt të keq Edi Ramën dhe rruga tjetër është ajo që kemi zgjedhur prej 38 ditësh, është rruga e qëndresës dhe e vendosmërisë, e përballjes.
Ne morëm mbështetjen për kauzën tonë në SHBA. Me dashamirësi dhe mirënjohje ndaj miqve që na mbështesin pa kushte, iu them se nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje. Nuk do pranojmë zgjedhje me standard më të ulët se sa miqtë tanë kërkojnë nga ne.”, u shpreh ndër të tjera Lulzim Basha.
(XH.A/SHUPLAKA)