Kreu i opozitës Lulzim Basha, i përgjigjet kryeministrit Edi Rama, se p[avarësisht vendimit të këtij të fundit për t’i realizuar zgjedhjet më 18 qershor, ai nuk do ta lejojë një gjë të tillë të ndodhë.
Në çadrën ku që prej 18 shkurtit po mbahet protesta e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, Basha është shprehur:
“Me sigurinë që u jep edhe për pak ditë krimi në pushtet dhe pushteti i krimit, me drogën që u ka krimbur trutë financiarisht dhe fizikisht, ata hodhën edhe sot dorashkën ndaj një populli të tërë, se nuk do të tërhiqen, se nuk do të ketë qeveri teknike, se zgjedhjet do të mbahen me 18 Qershor.
Me sigurinë totale të një populli të bashkuar rreth kauzës së tij dhe flamurit kombëtar dua t’u them: Zgjedhje me 18 Qershor nuk do të ketë! Edi Rama do largohet! Një qeveri teknike do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Orët e drogës, orët e krimit po numërohen mbapsht. Ora e së mirës po vjen, ora e fitores për çdo shqiptar po troket.” tha Basha. (D.D/Shuplaka)