Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në Lezhë se vendi ndodhet në një udhëkryq vendimtar, ku shumica absolute e shqiptarëve të ndershëm po varfërohet dhe po humbet të drejtat nga sundimi i një pakice të kriminalizuar dhe të korruptuar.
Basha u shpreh se “Shqipëria sot nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin dhe po kap drejtësinë për të mos dhënë llogari para saj. Akti antikushtetues i kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm është prova me e qartë”.
“Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës tek Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqëndron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, reformës në drejtësi”, theksoi kryetari i PD-së.
Lulzim Basha tha se “skandali i Saimir Tahirit, ish-ministrit të Brendshëm që drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës me bekimin e kryeministrit, ka vulosor fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij”.
“Prandaj ju them sot, se qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo”.
Sakaq, kreu i Partisë Demokratike përcolli një mesazh për qytetarë shqiptarë, në një kohë kur sipas tij, “Shqipëria ndodhet në një krizë politike, ekonomike dhe morale”.
“Detyra jonë është që të bëjmë bashkimin më të madh të shqiptarëve që nga viti i themelimit tonë, të bëhemi zëdhënësit dhe përçuesit e kësaj shumice absolute të shqiptarëve dhe t’u themi se rrugëdalja nuk është as rënia në depresion, as vetëflijimi, as tragetet, as emigrimi, as avioni por bashkimi në sheshet e protestës”.
Kryetari i opozitës shpjegoi çfarë synohet me protestat dhe çfarë do të thotë krijimi i një qeverie antimafia.
“T’ia bëjmë të qartë se nuk po e bëjmë këtë që të ikë Edi Rama dhe të vijë unë me protestë, apo të jem unë kryetari i qeverisë së përkohshme, jo! Ne kërkojmë largimin e shkaktarit numër një dhe krijimin e kushteve për funksionimin e demokracisë dhe reformës në drejtësi. Ndaj kemi parashtruar nevojën për një qeveri antimafia. Qeveria antimafia do të garantojë reformën zgjedhore, mosprekjen e votës dhe, përmes zgjdhjeve të lira e të ndershme, garanton një qeveri që lidh fatin e vet me atë të qytetarëve”, theksoi Basha.