Lulzim Basha, deputeti i grupit ‘Euroatlantik’ ka marrë pjesë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Popullore Europiane në Këshillin e Europës. Basha ka sjellë në vëmendje çështjet e fundit të zhvillimit politik në vend nga arrestimi i Salianjit deri tek mandati i deputetes së PS-së Olta Xhaçka, njofton ai përmes një postimi në Facebook.
Basha ka thënë se nuk është respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës dhe se vëllai i ish-Ministrit Xhafaj ka qenë subjekt i anti-mafias. Deputeti kërkoi nga KiE vëmendje për këto çështje.
“Nevoja për të çuar përpara vettingun në politikë, të bllokuar nga mazhoranca por i mbështetur në parim nga Komisioni i Venecias; kriza kushtetuese e nxitur nga mosrespektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Xhaçka, si dhe arrestimi i deputetit të opozitës Ervin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë, ndërkohë që vëllai i ish-ministrit Xhafaj rezultoi të ishte i dënuar dhe vetë ministri subjekt i ligjit anti-mafia, janë çështje që meritojnë vëmendjen e Komisionit të Venecias dhe KiE, për forcuar përpjekjet e përbashkëta në lidhje me sfidat me të cilat përballen shteti i së drejtës, sundimi i ligjit dhe demokracia funksionale në Shqipëri.”- ka thënë Basha në postimin e tij në FB.