Pas mbërritjes së kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, edhe kreu i PD-së Lulzim Basha është nisur për atje ndërsa në telefonët e stafit drejtues të PD-së ka mbërritur një sms aspak i zakonshëm.
Atyre ju kërkohet që të mobilizohen dhe të shkojnë tek teatri me sa më shumë mbështetës e simpatizantë pasi kjo është një kërkesë e artistëve dhe aktivistëve.
Sekretari Organizativ i PD kërkon që të gjitha struktuarat e larta të partisë të mblidhen me urgjencë te sheshi përpara Teatrit Kombëtar.
“Të nderuar anëtarë të Kryesisë, deputetë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar! Me porosi të Krytarit duhet të merrni masa për të ardhur tek Teatri tani. Aleanca ka bërë thirrje për mbështetje. Kryetari Basha është nisur për tek Teatri”, thuhet në mesazh.
Kryetarja e LSI ndodhet në sheshin para Teatrit Kombëtar ku gjatë një prononcimi për mediat ka thënë se Teatri do të shembet vetëm nëse fadromat kalojnë “mbi trupat tanë”
Teksa bëri një krahasim me koloseun në Romë i cili nuk mund të shembet për të rindërtuar një të ri, ajo sugjeroi që le të ndërtohet tek Piramida Teatri, ndërsa ai që është të lihet si dëshmi historike.
“Le të vijnë fadromat, ua kam thënë dhe ua them, do ta shembin Teatrin vetëm po kaluan mbi trupat tanë. Nuk ka nevojë as për një mijë veta, as për 100 veta, ne që jemi këtu, të kalojnë mbi trupat tanë dhe ta shembin. Beteja jonë nuk është politike, por për trashëgiminë, kulturën, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Është si puna e verës kjo godinë, sa më e vjetër aq më e mirë është. Nuk mendoj që kryeministri italian do të shembi koloseun se do të ndërtojnë një kolose të ri. Të shkojnë diku tjetër të ndërtojnë një Teatër të ri e kanë Piramidën. Ky le të qëndrojë”, tha Kryemadhi.
(F.GJ/FAXWEB.AL)