Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes me Kryetarët e rretheve, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen protestës.
Basha u shpreh se ka biznesmenë dhe qytetarë të cilët posedojnë prova të forta për përfshirjen në krime të politikanëve si Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri dhe Ilir Beqja.
“Pas tre vjetësh përpjekje për reformën në drejtësi rezultati është ky: Të hënën do të emërohet një Prokuror i Përgjithshëm politik, pa vetting, nga politikanë të korruptuar dhe të inkriminuar. Ky është dhunimi dhe i Kushtetutës dhe i shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ka biznesmenë dhe qytetarë të cilët posedojnë prova të forta për përfshirjen në krime të politikanëve si Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri dhe Ilir Beqja,”- tha Basha.
Më tej kryedemokrati theksoi se nuk do të tolerohet asnjë shkelje e nuk do të ketë më falje.
Basha u bëri thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë spektatorë por t’I bashkohen protestës së fuqishme e të kundërshtojnë zgjedhjen e një kryeprokurori politik.
“Kam paralajmëruar që Edi Rama do të zhytet gjithmonë ë më tëpër në krim dukë mbrojtur veten dhe aleatët e tij. Tani erdhi momenti.
Pikërisht tani që i erdhi laku në fyt, ai vendosi të zgjedhë një Kryeprokuror politik me një qëllim të vetëm: Të zhdukë të gjitha provat dhe të mbrojë të gjithë kriminelët e tjerë. Kryeprokurori do të fshijë të gjitha provat që rrezikojnë Hanilaj, Ahmetaj, Dakon, etj.
Por ne nuk do të tolerojmë e as nuk do falim më, as Edi Ramën as Vangjulsh Dakon as Habilajt.
Nuk ka Kryeprokuror politik.
Nëse vazhdohet duke toleruar të keqen Shqipëria nuk do të ketë të ardhme.
Është detyra jonë t’i dalim për zot shqiptarëve që mos t’i mbulojë krimi.
Tolerimi dhe mbështjetja që Rama i ka bërë drogës dhe krimit është e patolerueshme.
Emigracioni i paligjshëm dhe krimi nuk ndalen me masa teknike.
Të hënën është detyrë e çdo qytetari të luftojë, të hënën ai që do të ndërtojë jetën e vet këtu në Shqipëri dhe të mos iki në emigrim duhet ti bashkohet protestës.
Mos qëndroni spektatorë!”- përfundoi Basha në deklaratën e tij për shtyp.
(F.M/Faxweb)