Në emisionin ‘Studio e Hapur’ kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për zgjedhjet e së dielës, programin ekonomik të PD si dhe përplasjet me kundërshtarët politikë. Ai ka komentuar edhe foton me presidentin amerikan Trump dhe zërat se për këtë foto është paguar.
Basha u shpreh se fotoja nuk ka kushtuar asnjë qindarkë.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Vasili: Pak ditë më parë ju ishit në SHBA ku u takuat me Trump dhe postuat dhe një foto me të në Facebook. Shkuat atje për fushatë apo e kishit planifikuar?
Basha: Unë kisha planifikuar takime me zyrtarë të lartë me Shtëpinë e Bardhë në harkun kohor 18-19 maj dhe siç e dini ju përkoi me takimin dhe marrëveshjen mazhorancë-opozitë. Kjo ishte edhe arsyeja që takimet në SHBA u shtynë për më vonë. Pata mundësinë e jashtëzakonshme për tu takuar me Trump. Kjo vizitë dy ditore përkoi me 1 javë të shpallur nga Shtëpia e Bardhë si ‘Java e fuqizimit dhe zhvillimit të fuqisë punëtore’. Kam shfrytëzuar këtë vizitë për takime me biznesmenë dhe investitorë të ndryshëm të cilët kanë shfaqur interes për të investuar në Shqipëri.
Vasili: Ju po thoni që ata do vinë nëse fitoni ju, nëse fiton Rama jo?
Basha: Rama ka qënë disa herë në SHBA, por ka qenë për piktura dhe ndeshje basketbolli. Nuk besoj se investitorët amerikanë do vijën në një vend ku taksa është me lartë në Ballkan. Ku të huajt rrihen në mes të ditës nga banditët. Me mua gjerat do ndryshojnë, pasi taksat do jenë të ulëta. Ne nuk do mbledhim taksa, por do hapim vende pune. Trump është një njeri me përvojë ekonomike dhe ka një plan që përkon me planin tim nuk është se unë kam kopjuar Trump, apo anasjelltas, por sepse taksat e ulëta garantojnë punësimin.
Vasili: Po e përdorni takimin dhe foton me Trump për fushatën elektorale?
Basha: Jo takimi me Trump është një mundësi e jashtëzakonshme dhe unë e vendos në dispozicion të shqiptarëve, jo të vetes time.
Vasili: Ambasada e SHBA reagoi për foton që mbajnë simpatizantët tuaj?
Basha: Nuk ka asnjë keqpërdorim. Lulzim Basha ka qenë dhe mbetet një lider pro amerikan. Me mua kryeministër lidhjet me SHBA do forcohen dhe konsolidohen. Me planin tim ekonomik do rriten investimet amerikane të cilat sot mungojnë në Shqipëri.
Vasili: Fotoja juaj me Trump u komentua shumë, madje u fol dhe për një çmim, rreth 20 mijë dollarë. Keni koment?
Basha: Po të ishte për çmim, do kishte bërë jo foto, por film Edi Rama se ai e ka provuar se me para blen dhe përpiqet të blejë gjithçka. Kjo fotoja nuk ka kushtuar asnjë qindarkë dhe është e paçmueshme ashtu siç ishte takimi me liderin e botë së lirë presidentin Donald Trump. Ne nuk do lejojmë që paqëndrueshmëria dhe ndërhyrja brutale e Ramës të cenojë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Kjo është garancia që marrëdhëniet me mua kryeministër do forcohen.
(M.D/Shuplaka)
Discussion about this post