Kreu i opozitës Lulzim Basha në një lidhje të dretpërdrejt me studion e emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, ka komentuar sërish emërimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Punëve të Brendshme.
Basha i thotë Fevziut se është i bindur se presidenti Bujar Nishani do ta marrë vendimin e duhur kur të vendosë përfundimisht nëse do ta dekretojë Xhafajn si ministër apo jo.
“Jam i sigurt se Presidenti do ta kryejë në lartësinë e tij detyrën kur të vendosë për dekretimin e Fatmir Xhafajt”, tha Basha.
Kujtojmë se opozita me në krye Bashën e ka sulmuar herë pas here ministrin e propozuar për të zëvendësuar Saimir Tahirin, kështu që me këtë deklaratë Basha nënkupton se Nishani nuk do ta dekretojë Xhafajn. Por nëse kjo ndodh do të sillte peripeci të tjera në situatën politike në vend, deri më tani mjaft të tensionuar nga emërim-shkarkimet, kërkesat për qeveri teknike apo Reforma në Drejtësi. (D.D/Shuplaka)