Kreu i opozitës Lulzim Basha, pas tërheqjes së kryeministrit Edi Rama nga zgjedhjet për bashkinë e Kavajës, paralajmëron nga çadra e opozitës se javën e ardhshme në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në kryeqytet, do të realizohet marshimi më i madh i qytetarëve i parë ndonjëherë.
“Por, sonte një mësim i madh për të gjithë skeptikët e pushtetit të inkriminuar, ne jemi gati t’ju mirëpresim si qytetarë të Republikës së re, por ne dhe shqiptarët nuk jemi dhe nuk do jemi më kurrë qytetarë të Republikës së vjetër. Bashkohuni sa nuk është vonë, me këtë vullnet të pandalshëm të shqiptarët për të marrë në dorë fatet e tyre, mos u mundoni të bëheni pengesë për të pandalshmen, bashkohuni se teatri i kukullave ka marrë fund, demokracia dhe liria do t’u kthehen shqiptarëve, zgjedhjet e vemte që do mbahen në Shqipëri do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që kalojnë nga qeveria teknike.
Ftesa qëndron e hapur. Por ultimatumet për 18 qershorin janë të papranueshme,ligjërisht dhe moralisht. Ne i refuzojmë, 18 qershori ka rënë politikisht moralisht dhe ligjërisht.
Le të bashkohemi në një premtim kombëtar ndaj brezave, nga kjo qëndresë e pamposhtur 77 ditore, përfundimi i vetëm i kësaj beteje do të jenë zgjehdjet e lira dhe të ndershme.
Ultimatumet e Republikës së vjetër i refuzojmë, ose bashkojuni Republikës së Re, Republikës së Lirisë, zgjedhjeve të demokracisë së vërtetë, ose përballuni me marshimin më të madh të qytetarëve javën e ardhshme në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti e çdo fshati, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci nuk sprapset kurrë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme para drogës dhe krimit, preferojmë dialog por vendosëm të marshojmë paqësisht drejt zgjidhjes, kjo është rruga e Republikës së Re, Shqipërisë në Europë.
Zoti e bekoftë Kavajën, zoti e bekoftë Shqipërinë, zoti i bekoftë shqiptarët, fitore.”, deklaroi Basha. (D.D/Shuplaka)