Në emisionin #DritaremeRudinën, kryetari i opozitës Basha, është shprehur se LSI nuk ka asnjë shans për pushtet madje u bëri thirrje demokratëve në LSI që të kthehen tek PD.
“Sot dua t’i them çdo demokrati e demokrateje, ne nuk do të qeverisim me LSI-në, mos bëni gabimin fatal, përndryshe do të mbeteni si Baftjarë në hauret e Republikës së Vjetër”,-tha Basha.
Xhunga: Ju e quajtët LSI –SHPK dhe z. Vasili menjëherë ju kujtoi SHPK -në tuaj që “vodhi 250 milionë euro nga Rruga e Kombit”.
Basha: E kanë humbur toruan ata të LSI-së, për arsye se e kuptuan që për herë të parë nuk do të jenë në pushtet. LSI nuk do të jetë në pushtet.
Xhunga: Pse kështu? Pse jeni të sigurt për këtë?
Basha: LSI nuk do të jetë në pushtet sepse ka abuzuar me pushtetin. Jo vetëm në këto 4 vite, por në 8 vite ka ndërtuar modelin e një partie klienteliste, pa axhendë, pa program që ngjitet pas çdo koalicioni, vetëm për të kapur vende pune dhe i paraprin fushatave me para në dorë.
Ky model do të marrë fund, LSI-ja është bërë simbol i këtij modeli, LSI-ja nuk do të jetë në pushtet pas datës 25 qershor, kjo është 1000% e sigurt. Koalicioni që unë drejtoj do t’i fitojë zgjedhjet dhe ne do të qeverisim sipas një modeli që kurrë më nuk do të ketë vend për aleanca klienteliste dhe matrapazllëqe.
Xhunga: “Do ta marrësh në telefon Petrit Vasilin pas zgjedhjeve” – ka thënë Meta.
Basha: “Dream on” thonë anglezët, vazhdo ëndërro.
Modeli i LSI-së po ndëshkohet dhe do ndëshkohet me votë dhe unë uroj që ata të gjejnë forcën t’i rikthehen një modeli me të vërtetë parimor. Në qoftë se janë të majtë, siç thonë, atëherë duhet të veprojnë si e majtë dhe jo si një parti që shkon nga fryn era vetëm për të kapur vende pune, për të kapur tendera e koncesione.
Xhunga: Pjesë e marrëveshjes me z. Rama është kjo, që ta lini LSI-në jashtë çdo pushteti?
Basha: Absolutisht jo. Kjo është pjesë e vendosmërisë time të shprehur prej 4 vjetësh si kryetar i opozitës. Demokratët e Shqipërisë kurrë më të mos kenë dyshim që unë, si kryetar i Partisë do të bëj ndonjë pazar me LSI-në, sepse në qoftë se ky dyshim ekziston atëherë çdo demokrat s’ka pse të mos joshet nga shitblerja e votës me idenë se ne do jemi prapë në pushtet.
Sot dua t’i them çdo demokrati e demokrateje, ne nuk do të qeverisim me LSI-në, mos bëni gabimin fatal, përndryshe do të mbeteni si Baftjarë në hauret e Republikës së Vjetër.
(M.D/Shuplaka)
Discussion about this post