“Dritan Hila nuk është këtu për të mbështetur PD-në, thjesht opozitën, aksionin opozitar në vetvete. Është këtu për të mbështetur kauzën kombëtare dhe europiane, kauzën e dekriminalizimit të politikës, me praninë e tij dëshmon shpirtin e vërtetë të demokracisë, Republikës së re.
Në 27 vite të pluralizimit politik ata kanë qenë kundërshtarët tanë, jemi ndeshur, kanë fituar ose kemi fituar. Por na bashkonte shqetësimi i drejtë se ku po shkonte vendi. E pra sot, socialistët shqiptarë që duan të jenë pjesë e këtij bashkimi popullor, i bashkon me ne shqetësimi për dekriminalizimin total të politikës, institucioneve shqiptare.
Rilindja nuk është gjë tjetër veçse maska e krimit. Pasojat e kësaj ndihen kudo. Janë njerëz që nuk i lidh asgjë me politikën, madje me partinë. Ata janë sot në parlament, janë kryetarë bashkish që i solli Edi Rama për pushtetin e tij, për fatin e tij personal.
Shqiptarët e dinë fare mirë. Ndaj u mblodhëm më 18 shkurt, në lëvizjen më të madhe qytetare. Morëm vendimin për të mos u larguar nga ky shesh.
Ne e dimë se Saimir Tahiri shërbeu denjësisht për kupolën kriminalizuese. E dimë se Ilir Beqaj shërbeu për krimin më të rëndë, shpenzimin e taksapaguesve shqiptarë që shkuan në xhepat e oligarkëve. Ne e dimë që këta të dy dhe ata dy të tjerë janë shërbëtorë. Shkarkimi i çirakëve nuk na tendos.
Ata u kanë thënë dje që “Ed Rama na shiti tek Lul Basha të ndalë protestën”, e kuptoni sa mbrapa janë? Kujtojnë se Lul Basha është në gjendje të ndalë këtë lëvizje që nuk ndalet deri në rrëzimin e kësaj kupole, do të jetë deri në tullën e fundit.
Java e sotme do të jetë përcaktuese. Nëse është e vërtetë, do jetë një megaskandal. Të sjellësh mbetje, t’i groposësh në tokën e njerëzve të tu, është genocide kundër popullit tënd. Do u kërkoj qytetarëve që të të trajtojnë ashtu.
Mos u fshi pas shërbëtorëve të tu, është koha të dalësh e të zbardhësh të vërtetën.”
(XH.A/SHUPLAKA)