Në deklaratën e parë për mediat ditën e sotme, mbajtur në ditën e dytë të protestës së opozitës, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se gjithçka do të nisë nga sheshi ku qëndrojnë sot protestuesit, nga sheshi përballë “fasadës të mjeshtrit të fasadave”.
Ai shprehu bindjen se përmes kësaj proteste do të arrihet të rëzohet qeveria e fasadave, një grusht njerëzish që kanë marrë në dorë fatin e vendit. Ai premtoi se demokracia që do të vendoset do të sjellë ndryshime në ekonomi, shëndetësi, arsim, ndryshime për pensionistët, për familjarët.
Basha theksoi se do të vijohet të qëndrohet në shesh deri në përmbushjen e objektivave.
“Jemi në hapësirën e parë të lirisë së re që po vjen, të demokracisë të standardit europian, ku qyetarët nuk kanë frikë të thonë të vërtetën dhe dëgjohen. Ky është sheshi nga ku nis pushteti i qytetarëve. Përballë nesh kemi një fasadë nga mjeshtri i fasadave, që është shquar gjithmonë për këtë. Në këto tre vite e gjysmë ka ndërtuar demokracinë fasadë, ku kemi një parlament fasadë, i cili nuk përfaqëson popullin shqiptar, demokratët, as socialistët, por bhë grusht qytetarësh të lidhur me krimin.
Demokraci fasadë, shëndetësi fasadë, ekonomi fasadë, arsim fasadë. Një grup vjedhësish, pakica që është pasuruar dhe gëzon mbi shqiptarët e u thotë “Qepeni”. Karvani ecën përpara, ju qepeni”.
Prandaj jemi sot këtu, njësoj si 27 vjet më parë. E mbani mend 20 shkurtin? Shqiptarët u ngritën atëherë dhe i thanë jo “Pluralizmit fasadë”. Sot detyra jonë më e madhe është t’i japim fund zgjedhjeve fasadë.
Ne i kemi dhënë një mesazh botës dhe bota na ka përshëndetur. Falenderoj nga zemra qindra mijëra që na u bashkuan në shesh dhe miliona që na çuan mesazhe. Dje frika vdiq. Dua të ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë që t’i bashkohen kësaj lëvizje plot shpresë. Vota juaj do të flasë, do të respektohet. Vota juaj do të jetë ligj. Nuk ka kthim pas.
Ky shesh është fundi i mediave fasadë, të shantazhuara, i gazetarëve të trembur. Këta gazetarë nuk kanë mundësi tjetër që ta pasqyrojnë këtë në çdo shtëpi shqiptare. Falenderoj mediat e lira.
Sot nuk ka punë, Rama u mundua ta fshehë. Këtu do të diskutojmë me qytetarët që të mos ketë papunësi, të mos ketë familje pa ujë dhe drita. Do flasim këtu edhe për ëndrrat, zgjidhjet që do të marrin formën së bashku. Do të marrim vendime të tjera të mëdha për një ekonomi dhe shëndetësi që u përgjigjet nevojave të njerëzve dhe jo që mbush xhepat. Për arsimin, të rinjtë, për pensionet, taksat, energjinë, por mbi të gjitha për shpresën e lirë që po lind.
Kushdo që ka pasur frikë, ja ku e ka sot vendin. Këtu në këtë shesh të madh, që t’i japim formë kërkesave tona. E nesër përmes zgjedhjeve të lira të zhdukim këtë qeveri.
Dita e dytë e protestës sapo ka nisur. Entuziazmi juaj janë garancia se fitorja do të jetë e Shqipërisë. Këtu në këtë shesh kemi ardhur, këtu po qëndrojmë. Nga ky shesh do të shpallim fitoren e demokracisë.”, u shpreh ndër të tjera Basha. (XH.A/SHUPLAKA)