Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka postuar në rrjetet sociale një foto në të cilën duket Magna Carta, një dokument rreth 800-vjeçar i cili sipas tij ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë këto 8 shekuj, nga Reforma e Monarkisë Britanike tek Revolucioni Amerikan dhe ai Francez.
Sipas Bashës, ky dokument manifeston parimin bazë të demokracisë perëndimore që nënkupton se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre, është shkak për përmbysjen e çdo pushteti.
“Magna Carta është mantra e kufizimit të pushtetit me ligj dhe ndërtimit të shoqërisë mbi barazinë para ligjit dhe respektin për të drejtat dhe liritë e çdo njeriu”, shkruan kryedemokrati.
Postimi i plotë:
Të dashur miq, këtë foto e mora, nga panelet e Ëestminster, ndërtesës historike të Parlamentit Britanik, nënës së gjithë parlamenteve.
Është Magna Carta, dokumenti 800 vjeçar që ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë këto 8 shekuj, nga Reforma e Monarkisë Britanike tek Revolucioni Amerikan dhe ai Francez. Madhështia e saj qëndron te ideali i shenjtë dhe parimi bazë i demokracisë perëndimore se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti.
Magna Carta është mantra e kufizimit të pushtetit me ligj dhe ndërtimit të shoqërisë mbi barazinë para ligjit dhe respektin për të drejtat dhe liritë e çdo njeriu. Magna Carta është Karta e Madhe që e bëri Britaninë të madhe sepse vendosi precedentin se mbi të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve nuk ka pushtet mbi tokë përvec pushtetit të njerëzve nga njerëzit dhe për njerëzit!
(F.GJ/FAXWEB.AL)