Gjatë këtyre ditëve të protestës, kritikave për bojkotin e Parlamentit, kreu i opozitës Lulzim Basha u është përgjigjur herë pas herë me fjalët “Parlamenti i vërtetë është këtu mes qytetarëve.”
Gjatë mbrëmjes së sotme, Basha u bëri thirrje deputetëve të Parlamentit, që seancën e nesërme plenare ta bëjnë në “Çadrën e Lirisë” dhe jo në vendin e zakonshëm. Megjithatë, sipas kreut të PD-së, në këtë tendë nuk ka vend për 19 deputetët me rekorde kriminale.
“Nesër në këtë tendë, do të nisë punimet Parlamenti i ri shqiptar. Nesër në këtë tendë, ftoj çdo deputet jo të lidhur me krimin, pa rekorde kriminale, është i ftuar të vijë në këtë aulë të vërtetë të demokracisë, ky është parlamenti shqiptar.
Grupi Parlamentar i PD do ta bëjë seancën parlamentare këtu, me qytetarët. Deputetët e opozitës do të jenë të gjithë këtu. Këtu është vendi për çdo deputet tjetër të majtë që nuk është i lidhur me krimin që nuk i ka borxh këtij populli, i siguroj se qytetarët do t’i respektojnë nëse vendosin të jenë pjesë e këtij Parlamenti të vërtetë. Të vetmit që nuk janë të ftuar në këtë tendë të mos u shkojë mendja t’i afrohen këtij parlamenti popullorë janë 19 deputetët me rekordet kriminale.
Ata nuk kanë vend këtu dhe atje ku janë do t’i nxjerrim së shpejti. Deputetët e tjerë nesër kanë një mundësi për të vendosur duke zgjedhur, a do të jenë këtu në Parlamentin e vërtetë, në demokracinë direkte në auolën tonë apo do të jenë në Parlamentin, kukull fasadë. Kush është me popullin të vijë te populli. Kush është me krimin të rri atje deri sa populli t’i nxjerrë”, tha Basha. (D.D/Shuplaka)