Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po zhvillon një bashkëbisedim në selinë blu me gazetarët, për çështje të aktualitetit politik në vend.
Në fjalën e tij, përmendi çështjen e Teatrit Kombëtar, e cila ka qenë tema më e diskutuar e këtyre ditëve.
Si fillim Basha akuzoi ndërkombëtarët, të cilët nuk kanë pasur asnjë reagim zyrtar për çështjen e Teatrit Kombëtar.
“Nuk kemi asnjë reagim nga BE apo OSBE, për çështjen e Teatrit Kombëtar. Historia për prishjen e teatrit nuk ka nisur para 1 viti, apo 4 vitesh, por ka nisur fiks para 20 vitesh kur Rama ishte Ministër Kulture. Nuk ka hequr dorë dhe prej ditës së parë në karrigen e kryeministrit ka hedhur hapat për realizimin e ëndrrës së tij.
Pasi ka shkatërruar tre palë zgjedhje, ka shkatërruar refromën në Drejtësi, pasi ka kapur çdo media, pasi ka vënë tenderat në duart e oligarkëve të tij, tashmë kërkon të shpallet pasha i Pashallëkut të Shqipërisë.
Ky njeri mund të bëjë gjithçka. Sot po e bën me teatrin nesër do ta bëjë me pronat tuaja, ky njeri është i aftë të bëjë çdo gjë”, tha Basha.
Kreu i PD-së akuzoi Ramën, për shpenzimet maramendëse që ka bërë për rikonstruksionin e Kryeministrisë, sapo erdhi në pushtet.
“5 milionë euro investim në restorante private, sallë masazhesh dhe luksi janë bërë në Kryeministri dhe u kryen nga Fusha shpk, i cili ka marrë më pas 80 milionë euro tendera publike dhe konçesione rreth 125 milionë euro. Në shkurt të 2016-s Edi Rama i dha tokë duke ia përgjysmuar nga 1200 euro m2 në 670 euro m2.
Kujtoj që në vitin 2000Teatri ishte pjesë e ansamblit, më 12 prill të 2017-ës me vendim qeverie e hoqi teatrin nga zona e mbrojtur, ndërsa 2 ditë më vonë plani i përgjithshëm vendor e la të hapur shfrytëzimin e territorit. Ndërkohë argumenti tjetër i miratimit të ligjit që i hap rrugën shembjes ishte se Fusha shpk ishte kufitare me pronën e Teatrit. Harta zbulon se prona e blerë në shkurt 2016-ës nuk është kufitare me teatrin”, tha ai.
(E.V/Faxweb.al)