Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një takimi me të rinjtë e FRPD-së, foli mbi rrënimin që sipas tij i ka sjellë qeverisja e Ramës kryesisht të rinjëve.
Duke folur për programin e Partisë Demokratike për të rinjtë, Basha deklaroi se nga mbrëmja e sotme nis turin kombëtar për rininë.
Të pranishëm përkrah kryetarit të PD-së ishte edhe kryetari i forumit rinor të CDU, Junge Union, Tilman Kuban.
“Ne kemi nisur një betejë, të cilën do ta fitojmë, për rininë dhe për çdo shqiptar. Sot foli Tilman Kuban, një politikan që është anëtar i kristian-demokratëve gjermanë. Qeveria nuk ka lënë askënd më shumë në baltë se rininë. Kjo qeveri dështimin më të madh e ka me rininë, e cila po rritet në një vend pa perspektivë, me rroga minimale dhe kosto maksimale, në një vend me klimë të shkatërruar për bizneset.
Ky ka mbetur një vend, ku rinia mendon si të ikë, por kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet të ndodhë, sepse ky vend e ka potencialin për një të ardhme më të mirë. Kjo qeveri ka vendosur interesa të ngushta personale, duke tradhtuar interesin e qytetarëve shqiptarë. Ne kemi treguar se kemi këtë vizion e pasion për gjithë vendin e sidomos për rininë. Ne do të bëjmë realitet çdo zotim dhe zotimi ynë kryesor është të kthejmë shpresën, sidomos të rinisë. Ne do të krijojmë një klimë të mirë për biznesin. Shqipërinë me rininë që rri këtu ne do ta bëjmë realitet, vendin ku gjithë-secili të ndihet në shtëpinë e tij”, tha Basha.
(M.Q/Faxweb.al)