Gjatë qëndrimit në Washington, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar takimin e fundit në Kongresin Amerikan, të cilin shprehet se e pati me senatorin Jim Inhofe.
Ai bën me dije se në takimin kokë më kokë me të, u prekën disa çështje, të tilla si zhvillimi i sipërmarrjes dhe biznesit të vogël në Shqipëri; rëndësia e çlirimit të ekonomisë nga korrupsioni dhe presioni qeveritar; krimi i organizuar dhe terrorizmi.
Kryedemokrati foli për rëndësinë jetike që u bisedua që Shqipëria të mos kthehet në strehë për grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar.
“Takimin e fundit në Kongresin Amerikan e pata me Senatorin Jim Inhofe, Kryetar i Komisionit të Punëve Publike dhe anëtar i Komisionit të Biznesit të Vogël dhe Sipërmarrjes dhe Komitetit të Forcave të Armatosura në Senatin Amerikan.
Bisedova me të për ndihmën që SHBA mund të japin për zhvillimin e sipërmarrjes dhe biznesit të vogël në Shqipëri, dhe përmirësimin e kushteve për biznesin. Në mënyrë të veçantë u ndalëm në reformat e nevojshme kundër korrupsionit dhe monopoleve klienteliste që vrasin konkurencën dhe inisiativën e lirë. Programet e qeverisë amerikane veçanërisht të USAID mund të na japin një ndihmë të madhe në përpjekjet tona për një ekonomi të çliruar nga korrupsioni dhe presioni qeveritar.
Me Senatorin Inhofe biseduam edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe rëndësinë jetike që Shqipëria të mos kthehet në strehë për grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar.
Folëm gjithashtu për situatën politike në rajonin tonë dhe veçanërisht përpjekjet e Kosovës për integrimin e plotë në bashkësinë politike dhe ekonomike botërore.”, shkruan Lulzim Basha.